KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Operacioni kundër informalitetit, Rama del në terren
Operacioni kundër informalitetit, Rama del në terren

Operacioni kundër informalitetit, Rama del në terren

Ditën e dytë të operacionit kundër informalitetit, kryeministri socialist Edi Rama ka dalë vetë në terren. I shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, ai ka ndaluar dhe ka pirë kafe në një lokal në ish zonën e bllokut komunist, e cila tashmë është e mbipopulluar me bare e restorante relativisht mjaftë luksozë. Duke folur për mediat zoti Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës se operacioni aktual i qeverisë synon biznesin e vogel. “…e gjithë përpjekja për ta përshkruar këtë operacion historik si një operacion kundër të vegjëlve është një përpjekje sa injorante, aq edhe hileqare, ose të dyja bashkë. Sepse, në fakt, duke marrë kuponin tatimor ne mbyllim shtegun për evazionin e të mëdhenjve” tha kryeministri. Sipas tij vetëm nga kafet për të cilat nuk pritet kuponi tatimor humbjet në buxhetin e shtetit konsiderohen të mëdha. “Nëse në Shqipëri sot, po marrim një mesatare shumë të thjeshtë, pihen 1 milionë kafe dhe shishe uji në ditë dhe marrim një çmim shumë mesatar, me ulje, një mijë lekë (të vjetra), e dini sesa është shumë që shkon në drejtim të paditur në vend se të shkojë në arkën e shtetit, për t’ju kthyer individit si qytetar në formën e investimeve dhe të shërbimeve? Është 61milionë dollarë vetëm nga kjo” përllogariti zoti Rama. Ai këmbënguli se dhënia dhe marrja e kuponit tatimor është një detyrim patriotik pasi qytetarët japin një kontribut të drejtëpëdrejtë në shëndoshjen e finacave publike. “Mbi të gjitha kemi mundësi të ulim taksat dhe të rrisim rrogat për të gjithë” shtoi kryeministri. Ai nuk shprehu as më të voglin shqetësim lidhur me rradhët e gjata të njerëzve ditët e fundit në QKR. Sipas fluksi nuk është problem i qendrës së regjistrimit, por i atyre që duhej të ishin regjistruar kohë më parë.