KRYEFAQJA » LAJME » Opozita akuzon kreun e parlamentit për korrupsion, kryeministria e hedh poshtë
Opozita akuzon kreun e parlamentit për korrupsion, kryeministria e hedh poshtë

Opozita akuzon kreun e parlamentit për korrupsion, kryeministria e hedh poshtë

Opozita e djathtë shqiptare ka ndërmarrë të enjten sulmin më të ashpër ndaj kryetarit të parlamentit dhe kreut të LSI-së Ilir Meta, bashkëdrejtuesi i koalicionit aktual qeveritar. Kjo pas një shkrimi të botuar në BIRN,  ku emri i zotit Meta është përmendur si përfitues ryshfeti. Kryetari i PD Lulzim Basha, gjatë një konferencë për shtyp, akuzoi zotin Meta se ka marrë ryshfet nga një person i arrestuar tashmë për korrupsion. “Jam sot këtu për t’i kërkuar prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, të nisë një hetim të shpejtë e serioz ndaj Ilir Metës, i cili akuzohet se ka marrë rryshfet nga kompania DIA, kompani që ishte kontraktuar nga CEZ, nën ndikimin e Ilir Metës, për mbledhjen e borxheve të energjisë”. Sipas zotit Basha faktet janë tronditëse dhe të publikuara tashmë në media. Për kreun e opozitës “Korrupsioni, marrja e rryshfetit, përvetësimi i miliona eurove është kthyer në normë sjellje e Ilir Metës dhe Edi Ramës, është bërë zakoni i tyre”. Ai kërkoi me këtë rast dorëheqjen e kreut të parlamentit zotit Meta, si një parakusht që çështja të zbardhet terësisht. “Ilir Meta ia ka dalë ti shpëtojë drejtësisë më parë, duke ndikuar hetimet, për akuza shumë të rënda, duke i paracaktuar konkluzionet e hetimit me pushtetin e tij” tha zoti Basha.
Në emër të LSI ka reaguar nënkryetari i saj dhe kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili. “Z. Meta e tejkaluar me kohë planin e dorëheqjeve. Është e drejtë e z. Basha dhe cilido tjetër si ai që të japë ose jo dorëheqjen” tha ai. Sipas tij çdo kërkesë e opozitës që do të bëhet në rrugë zyrtare do të trajtohet me prioritet në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryeministria shqiptare nga ana e saj ka reaguar pas këtyre zhvillimeve. Zyra e kryeministrit shqiptar në një njoftim të saj nënvizon se “Ndryshe nga ajo që disa gazetarë duket se pretendojnë, OSHEE në deklarimet e çështjes në arbitrazh kundër DIA Ltd, nuk ka përmendur emrin e zotit Ilir Meta si përfitues i transfertave bankare apo ndonjë praktikë tjetër korruptive që lidhet me marrëveshjen për mbledhjen e borxheve mes OSHEE dhe DIA Ltd”.
Bie në sy se akuzat e opozitës ndaj zotit Meta i referohen pikërisht aktivitetit të tij në kohë kur PD dhe LSI ishin në koalicion qeverisës nga viti 2009 deri në vitin 2013. Disa komentatorë kanë shtruar pyetjen se përse PD është kujtuar me kaq vonesë të akuzojë zotin Meta. Ndërsa të tjerë vlerësojnë se akuzat e opozitës synojnë rritjen e presionit ndaj koalicionit qeveritar që udhëhiqet nga PS dhe LSI. Më parë ishte folur për një krisje të këtij koalicioni, veçanërisht midis kryeministrit Rama dhe kreut të parlamentit Meta, të cilat u hodhën poshtë prej krerëve të maxhorancës.