KRYEFAQJA » LAJME » Opozita akuzon Ramën se synon të kapi sistemin e drejtësisë
ozita akuzon Ramës se synon të kapi sistemin e drejtësisë

Opozita akuzon Ramën se synon të kapi sistemin e drejtësisë

Ekspertët e PD-së për reformën në drejtësi, kanë reaguar ashpër pas publikimit në disa media të pjesëve nga drafti final i reformës në drejtësi. Në qendër të këtij sulmi është vënë kryeministri Rama i cili sipas ekspertëve të PD po synon të kapi politikisht sistemin e drejtësisë. Deputeti i PD, ish ministri i drejtësisë Eduard Halimi tha se 11 rekomandimet më të rëndësishme të “Komisioni të Venecias“ me arrogancë janë injoruar nga Edi Rama dhe ekspertët e tij. Në qendër të kundërshtimit është vënë propozimi që organet kryesore të drejtësisë të zgjidhen me 84 vota, ose 3/5 e deputetëve. Zoti Halimi këmbënguli se “Zgjedhja e të gjithë kupolës të mos bëhet me 84 vota që i ka kryeministri, por të bëhet me 2/3, për të pamundësuar maxhorancën, qoftë kur e ka emrin Edi Rama, apo Lulzim Basha të mbajë nën kontroll sistemin e drejtësisë”. Gjithnjë sipas zotit Halimi, nëse drafti kalon me këtë përmbajte, ajo që pritet të ndodhë në mënyrë automatike menjëherë pas miratimit të draftit, është se kryeministri merr nën kontroll edhe hetimin dhe gjykimin, sepse shkarkon dhe emëron menjëherë Prokurorin e Përgjithshëm të gjithë gjykatësit e Gjykatës së Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë dhe Apelit.
Një ditë më parë zoti Rama e kishte cilësuar procesin e hartimit te draftit të reformës si shembullor. Gjatë një interviste në media e kishte quajtur absurde formulën e emërimit me 2/3, për të cilën këmbëngul PD. Por sipas tij nëse Komisioni i Venecias do të thotë po, atëherë do ta pranojë. Kryeministri njëherësh dhe kreu i maxhorancës së majtë, deklaroi se “Venecia është mundësi e artë për gjetjen e një konsensusi pasi gjetja e një konsensusi në një tryezë politike me Berishën e Bashën është “një ëndërr në beze”.