KRYEFAQJA » LAJME » Opozita bllokon seancën parlamentare në Kosovë
opozita bllokon seancen parlamentare ne kosove

Opozita bllokon seancën parlamentare në Kosovë

Seanca e së enjtes në Kuvendin e Kosovës është ndërprerë sërisht, pasi opozita ka vendosur t’a bllokojë atë derisa qeveria të tërhiqet nga nënshkrime e marrëveshjeve me Serbinë në Bruksel. Kreu i parlamentit Kadri Veseli, tha pas ndërhyrjes së deputetëve opozitarë se “Në këto rrethana është e pamundshme të vazhdohet seanca”. “Nuk do të ketë seancë as sot e as nesër, por theksoj se Kuvendi i Kosovës nuk do të bllokohet pafundësisht në të ardhmen. Javën e ardhshme do të mbahet mbledhja e kryesisë dhe atëherë do të kuptoni se si do të veprohet më tutje” tha zoti Veseli. Nga ana e saj edhe opozita kosovare duket e vendosur. Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka përsëritur se seancat e kuvendit do të bllokohen përderisa kryeministri Isa Mustafa nuk tërheq nënshkrimet nga marrëveshjet e Brukselit. Një javë më parë zoti Mustafa u gjet nën goditjen e vezëve nga deputetët e opozitës ndërsa po raportonte në kuvend. Ata thanë se nuk donin ta dëmtonin kryeministrin, por vetëm ta poshtërorin. Ngjarja u cilësua e papëlqyer edhe nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.