KRYEFAQJA » LAJME » Opozita synon aleancë qytetare për largimin e kryeministrit Rama nga pushteti
Opozita synon aleancë qytetare për largimin e kryeministrit Rama nga pushteti

Opozita synon aleancë qytetare për largimin e kryeministrit Rama nga pushteti

Opozita shqiptare duket se po synon të krijojë, sipas saj, një aleancë qytetare për largimin e kryeministrit Rama nga pushteti dhe kthimin e vendit në normalitet. Ideja është hedhur nga kreu i opozitës Lulzim Basha gjatë takimit në Vlorë me përkrahës të tij, por edhe “përfaqësues të së majtës të zhgënjyer nga Edi Rama”. “Që të organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që shqiptarët të mos kenë frikë nga krimi për të hedhur votën ashtu siç duan, është e domosdoshme që të thyhet cikli i drogës dhe krimit” tha zoti Basha. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ” …në fillim mbushi administratën me kriminelë, solli kriminelët në Parlament, i vuri në poste kyçe, i bëri kryetarë bashkish. Dhe pasi kriminalizoi strukturën shtetërore e ktheu Shqipërinë në një hambar droge. Hambari i drogës tani prodhon me skllavërimin e mijëra shqiptarëve miliona euro për këta kriminelë dhe për Edi Ramën” u tha kreu i opozitës së pranishmëve. “Ne kemi hedhur një hap të madh si opozitë dhe për këtë duhet të jemi krenarë që është ligji për dekriminalizimin. Është e qartë se po t’i largohen një nga një figurat kriminale me të cilat menaxhon dhe mban pushtetin, ky është fundi i Edi Ramës” tha zoti Basha, por akuzoi kryeministrin se “…nuk e zbaton ligjin e dekriminalizimit”. “Rruga e vetme për të ndalur këtë qerthull shkatërrues për Shqipërinë dhe shqiptarët është t’i themi Edi Ramës që me ty nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme” këmbënguli zoti Basha.