KRYEFAQJA » LAJME » Opozita: Të rrëzojmë qeverinë! PS: PD do pushtetin me dhunë!
Opozita thirrje për protestë, policia publikon masat

Opozita: Të rrëzojmë qeverinë! PS: PD do pushtetin me dhunë!

Opozita bëri thirrje për pjesmarrje masive në protestën që organizon të enjten kundër qeverisë së rrezikut kombëtar sic e cilësoi kreu i saj Lulzim Basha. “Qytetarë, ngrihuni pa dallime politike, mblidhuni masivisht para Parlamentit të rrëzojmë këtë qeveri. Të diktojmë ngritjen e një qeverie teknike dhe zgjedhje të reja” bëri thirrje kreu i opozitës në mbledhjen e grupit parlamentar të PD. Një ditë para votimit në parlament të buxhetit të vitit të ardhshëm, zoti Basha tha se ”ky është projektbuxheti i fundit i kësaj qeverie. Ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë fort në zgjidhjen për largimin e kësaj qeverie dhe krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhje të reja”.
Zoti Basha tha se aksioni i opozitës do të jetë një koordinim midis deputetëve në parlament dhe protestuesve jashtë tij.”Deputetët tanë do të argumentojnë në foltore pse ky është buxheti i recesionit, ndërsa qytetarët para Parlamentit do të vijojnë protestat dhe aktet demokratike paqësore” tha ai.
Por nga ana e saj Partia Socialiste ka akuzuar Partinë Demokratike se kërkon të vijë në pushtet me dhunë, pa pasur asnjë kauzë të vërtetë. Në një deklaratë deputetja socialiste Olta Xhacka tha se “rruga që PD ka zgjedhur të bëjë revolucion, është mes parasë së pisët dhe blerjeve të njerëzve që të vijnë në protestë. Në emër të kujt flasin Albana Vokshi e Arben Ristani, në emër të këtyre fëmijëve që i blejnë me para në dorë të vijnë në protesta. Por fatmirësisht, shumica dërrmuese i do këto reforma që janë jetike për gjithë Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët” tha zonja Xhaçka.
Nga ana e saj policia ka publikuar masat e gatishmërisë për të garantuar mbarëvajtjen e protestës dhe shmangien e incidenteve të mundshme. Dhjetë ditë më parë protesta e opozitës para selisë së qeverisë degjeneroi në akte dhune duke hedhur gurë dhe lëndë pirroteknike ndaj kryeministrisë. Kulmi ishte shkatërrimi i dhunshëm i një bunkeri, hyrja e një ish strehimi bërthamor të kohës së komunizmit, që po kthehej në atraksion turistik pranë ministrisë së brendshme. Opozita i mbrojti këto veprime duke thënë se bunkeri ishte vepër e kryeministrit për të evokuar kohën e komunizmit dhe provokuar të përndjekurit. Por komuniteti ndërkombëtar bëri thirrje për të dënuar aktet të tilla dhune dhe i cilësoi si veprime jo demokratike.
Ndërkohë disa ambasada u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të qëndrojnë të enjten larg zonës së protestës.