KRYEFAQJA » LAJME » Opozita : Nuk marrim pjesë në punimet e Komisionit Parlamentare për Reformën në Drejtësi

Opozita : Nuk marrim pjesë në punimet e Komisionit Parlamentare për Reformën në Drejtësi

Demokratët kanë marrë vendim për të mos marrë pjesë në punimet e Komisionit parlamentare për reformën në Drejtësi. Në mbledhjen e grupit parlamentar zhvilluar me dyer të mbyllura pas seancës plenare, mësohet se opozita vendosi të kushtëzoje kontributin e saj për këtë reformë me vullnetin e mazhorancës për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e mandateve të deputeteve Leskaj dhe Suli. Kryedemokrati Basha mësohet të jetë shprehur me tone të ashpra kundër mazhorancës, duke e konsideruar “terrorizëm kushtetues” moszbatimin e vendimeve të gjykatës. Ndoshta për të parën herë me Bashën është shprehur dakort këtë mbledhje edhe ish nën kryetarja e PD-së Jozefina Topalli, e cila në fakt edhe më herët ka ngritur zërin për qëndrime të forta të opozitës kundrejt shkeljeve sipas saj të kushtetutës nga shumica. Por ish Kryeministri Berisha është shprehur se PD duhet të respektoje parimet , pasi sipas tij, opozita është mburojë e tyre. Ai ka lënë të kuptohet qëndrimin pro pjesëmarrjes në këtë komision,teksa është shprehur se shtyllat bazë për opozitën janë sygjerimet e Venecias. Ky është një qëndrim që në fakt ndryshoi shumë nga deklarata e bërë për mediat para mbledhjes së grupit, ku tha se është për shkrirjen e kuvendit. Në sinkron me Berishën, në mbledhjen e Grupit është shprehur edhe deputeti Imami. Megjithatë vendimi kolegjial i Grupit ka qënë për veprime radikale, jo bojkot ,por mospjesmarrje në komisionin e reformës në drejtësi, sikundër marrëdhënie të kushtezuar me kuvendin deri në plotësimin e kërkesave që kanë.