KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Orkestra Simfonike RTSH – koncert në Janinë

Orkestra Simfonike RTSH – koncert në Janinë

“Moj e bukur Arbëri”, interpretuar nga tenori Kastriot Tusha dhe sopranoja Eva Golemi është preludi i një koncerti gati historik i Orkestrës Simfonike të RTSH në amfiteatrin veror të Janinës. Në një kombinim të shkëlqyer të muzikës simfonike shqiptare me muzikë tradicionale greke duket se muzika bëhet komunikuesja universale dhe bashkon shpirtrat përtej ngurtësimit të konteksteve historike. Në një atmosferë surreale mbi qytetin e Janinës, orkestra e drejtuar nga dirigjenti Gridi Kraja i ofroi publikut një panorame të muzikës shqiptare me “Albanian Rapsody” nga kompozitori Gerti Druga apo kolona zanore e filmit “Skëndërbeu”. “Programi përfshin shumë muzikë, duke filluar nga muzika klasike, muzika shqiptare simfonike, muzika greke tradicionale dhe disa këngë shqiptare dhe greke që këtu pëlqehen shumë” thotë dirigjenti Kraja.
“Vërtetë jam e lumtur që është kjo shkrirje mes dy kulturave” shprehet sopranoja Golemi. Ndërsa tenori Tusha thote se “Edhe vendi e pranon këtë program miks, sepse vërtetë kalon kufirin, por me shpirt e me zemër ne jemi një”.
Por edhe pjesë të njohura greke si Zorba apo perla nga Mikis Teodorakis interpretuar nga këngëtari i talentuar grek Nikos Papadiotis.”Kastriot Tusha është një këngëtar i mirënjohur dhe përderisa muzika është gjuha universale, zerat tanë u harmonizuan shumë shpejt dhe u ndjeva shumë mirë në duet me të” tha ai.
Duket se kultura e ka më të thjeshtë të bëjë kapërcimin pasi në mes të Janinës këndohet shqip dhe kjo falë bashkëpunimit të disa politikanëve mendjehapur. Ky koncert është kurorëzimi me muzikë i një bashkëpunimi të nisur vitin e kaluar në turizëm, kulturë dhe disa projekte të përbashkëta kulturore mes Qendrës Kulturore të Bashkisë së Janinës dhe Institutit të Librit dhe Promocionit në Tiranë, nën kujdesin e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Janinë.