KRYEFAQJA » LAJME » Bota » OSBE: Duhet ta luftojmë me rrënjë terrorizmin
osbe

OSBE: Duhet ta luftojmë me rrënjë terrorizmin

Gjermania kryeson që prej fillimit të vitit Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier aktualisht është “kryetar i radhës i OSBE-së”. Si një prej synimeve të Presidencës gjermane, Steinmeiri kishte përcaktuar para ndërrimit të viteve forcimin e OSBE-së si platformë dialogu. Në këtë kuadër, në Berlin po zhvillohet një konferencë kundër terrorizmit e OSBE-së. Ka nevojë të flitet për luftimin e terrorizmit dhe para së gjithash se si mund të shmanget ai, u bë e ditur nga Ministria e Jashtme Gjermane. Disa vende mbështesin në mënyrë shumë të njëanshme vetëm masat represive. Por nevojitet që problemi të vështrohet në “mënyrë tërësore”, siç tha ministri i Jashtëm gjerman në hapje të fjalës së tij në Ministrinë e Jashtme. Të gjitha niveleve të terrorit u duhet kushtuar vëmendje – edhe metodave të rekrutimit, shkaqeve të radikalizimit dhe masave parandaluese. Kjo mund të ketë sukses vetëm në kuadër të një bashkëpunimi ndërkombëtar, deklaroi Steinmeier në Berlin. Për dy ditë do të shkëmbejnë mendimet e tyre mbi 350 pjesëmarrës nga më shumë se 50 shtete dhe nga 20 organizata ndërkombëtare. Njëri nga fokuset është te fenomeni relativisht i ri i terroristeve femra. 20 përqind e “Foreign Fighters”- e luftëtarëve të huaj – besohet se tashmë janë femra, midis tyre shumë janë nga qarqe jo të varfra.