KRYEFAQJA » LAJME » OSBE partive politike: Ndërmerrni Reformën Zgjedhore për zgjedhjet parlamentare
OSBE partive politike: Ndërmerrni Reformën Zgjedhore për zgjedhjet parlamentare

OSBE partive politike: Ndërmerrni Reformën Zgjedhore për zgjedhjet parlamentare

Prezenca e OSBE-së në Tiranë u bëri të hënën thirrje partive politike shqiptare që të nisin pa humbur kohë një reformë zgjedhore tërësore e cila duhet të përfundojë para zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshme. Deklaratën e saj OSBE e bëri të ditur pas përfundimit të afatit për ankime, lidhur me zgjedhjet e parakohshme të 11 shtatorit për kryetarin e Bashkisë së Dibrës, zgjedhje që u fituan nga kandidati i koalicionit të majtë aktualisht në pushtet.
Prezenca e OSBE dhe kreu i saj në detyrë Robert Vilton shprehen se “ndajmë fuqimisht të njëjtin shqetësim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me zëvendësimin e mbi 98 për qind të komisionerëve të qendrave të votimit, një ditë përpara zgjedhjeve”. “Prezenca vijon të sugjerojë që partitë politike të Shqipërisë duhet ta marrin më seriozisht menaxhimin profesional të zgjedhjeve, në mënyrë që sistemi të jetë i besueshëm” vlerësohet në deklaratë.
Sipas Prezencës së OSBE në Tiranë “Procesi zgjedhor në Dibër është një tjetër tregues i nevojës për një reformë zgjedhore tërësore, e cila do të siguronte, veç të tjerave, depolitizimin e organeve të administrimit të zgjedhjeve, si dhe barazinë gjinore në përfaqësimin politik dhe në komisionet zgjedhore”.
“Ne i nxitim autoritetet dhe partitë politike shqiptare të nisin, pa humbur kohë, këtë proces shumë të rëndësishëm dhe ta përfundojnë atë në kohë për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Mbështetur në bisedat me palët, Prezenca është përgatitur tashmë të ofrojë mbështetje teknike dhe ekspertizë për reformën zgjedhore, sapo Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore të fillojë punën”, përfundon deklarata e Prezencës së OSBE-së në Tiranë.