KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » OSHEE e alarmuar nga dëmtimi i rrjetit shpërndarës
OSHEE e alarmuar nga dëmtimi i rrjetit shpërndarës

OSHEE e alarmuar nga dëmtimi i rrjetit shpërndarës

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) shprehu të shtunën shqetësim mbi fenomenin, sipas tij alarmant të dëmtimit të rrjetit shpërndarës, shkaktuar nga palë të treta. Sipas OSHEE kjo ka sjellë jo vetëm kosto financiare për kompaninë për riparime, por edhe rritje të detyrimeve financiare ndaj klientëve për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Gjithsej janë mbi 40 raste të regjistruara këtë vit, vetëm për Tiranën, ku kompani të ndryshme, të kontraktuara nga institucione shtetërore, por edhe private, kanë dëmtuar rrjetin elektrik të OSHEE. Në jo pak raste, defekti ka qenë i rëndë, me mungesë të tejzgjatur të dritave.
Drejtoria Ligjore pranë OSHEE, është duke plotësuar dosjet me procesverbalet përkatëse, për t’i trajtuar më tej tek organet kompetente të hetimit. Ngjarjet e mësipërme, janë të patolerueshme nga ana e OSHEE-së, e cila për raste të përsëritura do të marrë masa të forta, konform ligjit, kallëzim në prokurori, dhe deri në ndërprerje të punimeve të palëve të treta.
Me këtë rast, OSHEE u bën thirrje të fortë të gjitha institucioneve shtetërore dhe kompanive private, që të respektojnë udhëzimet teknike dhe përditësimet e rrjetit inxhinierik elektrik në terren.
OSHEE u bën thirrje organeve ligjzbatuese që të trajtojnë me prioritet dhe seriozitet raste të tilla që nuk dëmtojnë thjesht imazhin publik të OSHEE, por lënë pa energji për ore të tejzgjatura qytetarët.