KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Shteti shqiptar fiton gjyqin me “DIA”-n
OSHEE fiton gjyqin me "DIA"-n

Shteti shqiptar fiton gjyqin me “DIA”-n

Gjykata e Arbitrazhit në Vjenë ka pushuar gjykimin për kërkesën e kompanisë ‘DIA”, e cila pretendonte të përfitonte nga Shteti Shqiptar shumën prej 135 milionë euro, për shkak të prishjes së kontratës me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike. Lajmi është dhënë nga Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, në rrjetin social Fejsbuk. Sipas zoti Gjiknuri vendimi i marrë nga Arbitrazhi i Vjenës i jep fund procesit gjyqësor, ku OSHEE ishte paditur nga shoqëria “DIA”. Kjo e fundit kishte akuzuar OSHEE, operatori i sitemit të të shpërndarjes së energjisë, dikur në pronësi të kompanisë ceke CEZ, se nuk kishte zbatuar kontratën. Administratorja e kompanisë “DIA”, Rebecca Gaskin Gain, është tërhequr nga gjykimi në arbitrazh pasi është vënë në dijeni të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës për administratorin e mëparshëm të kompanisë, shtetasin Kastriot Ismailaj, bën të ditur Prokuroria e Përgjithshme. Duke e konsideruar si një triumf të drejtësisë, zoti Gjiknuri shprehet se  ky vendim i Gjykatë së Arbitrazhit Ndërkombëtar, konfirmon gjithashtu edhe faktin se qeveria shqiptare dhe OSHEE kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të mbrojtur deri në fund interesat e qytetarëve shqiptarë, pasi në këtë mënyrë Shqipëria i shpëtoi rrezikut për të humbur shuma të mëdha. Ministri Gjiknuri vlerëson se zgjidhja me mirëkuptim e konfliktit me CEZ-in, ka ndikuar në mbylljen me sukses të gjyqit me “DIA”-n. “Kjo fitore është padyshim përgjigja më e mirë edhe për ata spekulantë, që duke shpërdoruar të drejtën e të bërit opozitë, nxitën dhe shpresuan që ky proces arbitrazhi të humbej nga pala shqiptare, në favor të Kastriot Ismailajt. Në fillim na përqeshën. Më pas na akuzuan se dëshironim humbjen e gjyqit për të ndarë paratë. Sot, minimalisht ata duhet të heshtin me turp. E vërteta fiton gjithmonë” shkruan zoti Gjiknuri.