KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » OSHEE punime intensive deri në 30 qershor
OSHEE punime intensive deri në 30 qershor

OSHEE punime intensive deri në 30 qershor

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka njoftuar të hënën se në kuadër të masave për furnizimin me energji elektrike, përveç mirëmbajtjes së rrjetit, është duke kryer disa investime të rëndësishme, sidomos në zonën e Himarës, Dhërmiut, Rradhimës dhe Ujit të Ftohtë në Vlorë. Për këtë arsye ajo ka qenë e detyruar të stakojë energjinë elektrike gjatë javës, përjashto të shtunë dhe të dielë, si masë sigurie e nevojshme për të realizuar punimet që sipas kompanisë synojnë një siguri maksimale në furnizimin me drita. OSHEE njofton se nga datat 27-30 qershor do të kryejë punimet gjatë orëve të para të mëngjesit (03.00 – 10.00), ndërsa më 1 korrik punimet do të ndërpriten për të rifilluar pas sezonit turistik në shtator.
Krahas njoftimit për kufizimin e energjisë elektrike, OSHEE kërkon të sensibilizojë përdoruesit privat (bizneset) të rrjetit të shpërndarjes, sidomos ato që operojnë në zonat turistike, se është mjaft e rëndësishme t’i përgjigjen investimeve që po kryen OSHEE për të mirëmbajtur rrjetin e tyre. Kompania u rikujton sërish bizneseve që të marrin masa për kryerjen e proceseve të mirëmbajtjes së linjave të furnizmit me energji elektrike nga “pika e lidhjes” deri në objektin e tyre, sikurse e përcakton rregullorja e miratuar nga ERE.
Ndërprerja dhe kufizimi i energjisë elektrike gjatë ditëve të fundit veçanërisht në zonat turistike bregdetare ka ngjallur reagime tek popullata dhe biznesi, të cilat kanë shprehur pakënaqësinë e tyre. Mungesa apo dhe kufizimi i energjisë elekrike është ndjerë mjaftë ditët e fundit për shkak edhe të temperaturave shumë të larta të regjistruara në të gjithë vendin.