KRYEFAQJA » LAJME » Magjistratët padisin KLD, Manjani: Janë betuar për të shërbyer
Padia magjistratëve, Manjani: Janë betuar për të shërbyer

Magjistratët padisin KLD, Manjani: Janë betuar për të shërbyer

Pas padisë dhe peticionit të gjashtë magjistratëve në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative të Tiranës, të cilët pretendojnë se shorti i hedhur nga KLD, nuk është kriter për emërimin e gjyqtarëve, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani deklaron se gjyqtarët duhet të shkojnë atje ku ka nevojë vendi, jo ku duan ata.

Gjashtë nga 8 magjistratë, Matilda Fetau, Esmerilda Habilaj, Ina Hoxhaj, Nertila Kape, Yrfet Shkreli dhe Gentian Marku, pretendojnë se është cënuar siguria juridike dhe pritshmëritë e ligjshme dhe se është cënuar e drejta për të përcaktuar lirisht vendbanimin, për të zgjedhur lirisht profesionin dhe kualifikimin profesional, se është cënuar e drejta për jetë të qetë familjare dhe se është cënuar e drejta e tyre për t’u dëgjuar para se të gjykohen nga KLD.
Gjashtë magjistratët kanë kërkuar nga Presidenti i Republikës që të pezullohet procedura e emërimit si masë sigurimi padie, derisa të zgjidhet çështja me vendim përfundimtar të formës së prerë.