KRYEFAQJA » LAJME » Pagesat e sigurimeve për aksidentet

Pagesat e sigurimeve për aksidentet

Aksidentet rrugore si një prej problemeve që po spikat më shumë gjatë këtij viti sjellin edhe dëm ekonomik.

Sipas rregulloreve të miratuara që prej vitit 2011, të gjithë personat e përfshirë në një aksident dhe të cilëve u shkaktohet një dëm, kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim, që sipas rastit mund të jetë për dëm pasuror, dëm me pasojë vdekjen, dëmtime shëndetësore të përkohshme dhe të përhershme etj.

Në raportin e tij të Qershorit të këtij viti, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare thotë se pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar – qershor 2016 u rritën me 29.92% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ku pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,255 milionë lekë, apo 66.13% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Parë më në detaj, pagesat bruto për sigurimin e jo-jetës, ku përfshihen aksidentet, mjetet lëvizëse, detyrimet ndaj të tretëve etj, janë rritur për gjashtëmujorin e parë të këtij viti me 36.41% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2015.

Nga ana tjetër, dëmet e paguara nga shoqëritë e sigurimit të jetës, për periudhën janar-qershor 2016 kanë arritur në rreth 65 milionë lekë, duke u rritur me 44.5% nga një vit më parë.

Ligji për sigurimin e detyrueshëm përcakton se detyrimi i shoqërisë së sigurimit përfaqësohet nga kufijtë minimalë të mbulimit të vlefshëm në ditën e aksidentit. Sipas këtij ligji: për dëme pasurore, me pasojë vdekjen, dëmtime shëndetësore dhe përkeqësime të shëndetit, të shkaktuara nga një aksident, në varësi të mjetit të përfshirë në aksident shifra varion nga 50 deri në 200 milionë lekë; për dëme jopasurore nga 500 mijë lekë deri në 2 milionë lekë; kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar është 20 milionë lekë; për dëmtim apo shkatërrim prone në varësi të automjetit nga 10 milionë lekë deri në 20 milionë lekë.