KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, polemika në parlament
Reforma në Drejtësi, maxhoranca shpejton miratimin

Reforma në Drejtësi, polemika në parlament

Reforma në drejtësi ka qenë kryefjalë e seancës plenare. Deputeti socialist Ben Blushi tha se reforma në drejtësi po bllokohet me konsensus, ndërkohë që e krahasoi atë me ligjin e miratuar për kompensimin e pronave. Por në përgjigje të tij, ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se mazhoranca e ka treguar vullnetin e saj për miratimin e kësaj reforme.

Por sipas deputetes demokrate Jozefina Topalli problemi qëndron tek mungesa e kulturës demokratike. Ajo ka përmendur një sërë raportesh ndërkombëtare për të treguar se si korrupsioni po ndikon në rritjen e varfërisë së vendit, ndërkohë që ministri i financave Ahmetaj duke dhënë shifrat përkatëse ka sqaruar se edhe pse u trashëgua një ekonomi e rrënuar nga qeveria e kaluar, ajo sot është përmirësuar.

Më herët kryetari i Kuvendit Ilir Meta njoftoi vendimin e Këshillit të Mandateve për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandateve të deputetëve Valentina Leskaj e Rakip Suli si dhe vendimin e Konferencës së Kryetarëve për ngritjen e dy komisioneve hetimore, një për hetimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe CEZ dhe një për hetimin e privatizimit të OSSH.