KRYEFAQJA » LAJME » Paloka : Rama dhe Tahiri sulmojnë drejtësinë
Paloka : Rama dhe Tahiri sulmojnë drejtësinë

Paloka : Rama dhe Tahiri sulmojnë drejtësinë

Pas deklaratave kryeministrit Edi Rama dhe të ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, se gjyqtari që pezulloi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë ka liruar nga burgu persona të dënuar për vrasje dhe përdhinim, ka reaguar me ashpërsi PD e opozitës. Kreu i Grupit Parlamentar Edi Paloka, tha se Tahirin e ka kapur paniku i arrestimit dhe për këtë arsye po shantazhon Gjykatën e Apelit. Sipas deklaratës ky është një sulm i paprecedent, vandal e mafioz ndaj drejtësisë. “Rama dhe Tahiri kanë dalë zbuluar në sytë e gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë duke dëshmuar se cila është drejtësia, prokuroria dhe gjykata që ata duan. Ata nuk duan drejtësi sipas standardeve europiane, por duan prokurorë e gjyqtarë që urdhërohen prej tyre, duan prokurorë e gjyqtarë që të mos hetojnë krimet e tyre” theksohet në deklaratën e zoti Paloka. “Partia Demokratike i dënon këto sulme të Edi Ramës e Tahirit të tij ndaj drejtësisë, dhe ne inkurajojmë prokurorinë e gjykatat të bëjnë punën e tyre të pandikuar nga presionet mafioze”. “Ne i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera euroatlantike, në Tiranë, të dënojnë sulmin e hapur të Edi Ramës kundër hetimit të këtij krimi të rëndë të sigurisë kombëtare dhe i kërkojmë të shprehen e të prononcohen në favor të hetimit të pavarur, të pandikuar politikisht, në favor të hetimit të plotë të kësaj afere skandaloze” bëhet e ditur në deklaratë.