KRYEFAQJA » LAJME » Paloka: Rama e Tahiri përgjegjës për rënien e sigurisë kombëtare
Paloka: Rama e Tahiri përgjegjës për rënien e sigurisë kombëtare

Paloka: Rama e Tahiri përgjegjës për rënien e sigurisë kombëtare

PD e opozitës po intensifikon më tej akuzat ndaj kryeministrit Rama dhe ministrit të brendshëm Tahiri, si fajtorë të grabitjes në aeroportin e Rinasit, që kjo parti po e cilëson rënie të sigurisë kombëtare dhe akt kriminal. Nënkryetari i PD dhe kreu i grupit të saj parlamentar Edi Paloka, tha në një dalje të dielën para mediave, se “Siguria kombëtare është kërcënuar më rëndë se asnjëherë tjetër pas vitit 1997, sepse praktikisht është “pushtuar aeroporti, një infrastrukturë e rëndësisë strategjike, e Shqipërisë dhe e NATO-s”. Duke nënvizuar mosreagimin e autoriteteve qeveritare, zoti Paloka tha se “Kjo është heshtja e një fajtori”. “Fakte të reja kanë dalë në dritë që tregojnë se Rinasi me Ramën është kthyer në një çerdhe korrupsioni dhe nepotizmi, një burim i madh përfitimi financiar për bandën kryeministrore…” tha ai. “…Policia është përgjegjëse për sigurinë e aeroportit dhe rrethimit të jashtëm…”, ndërsa “Rënia e Rinasit, rënia e sigurisë kombëtare është vërtetimi i rënies së çdo standardi, është dëshmi se grabitja, maskat, krimi, me Ramën e Tahirin kanë zëvendësuar rendin, ligjin, sigurinë” përfundon deklarata e nënkryetarit të PD dhe kreut të grupit të saj parlamentar Edi Paloka.