KRYEFAQJA » LAJME » “Panama Papers” mobilizohen autoritetet shqiptare
panama-papers-shqiperia

“Panama Papers” mobilizohen autoritetet shqiptare

Shpërthimi i skandalit të quajtur “Panama Papers” duket se ka mobilizuar autoritetet shqiptare të fillojnë të hetojnë pastrimin e parave që vijnë nga aferat korruptive, fshehja e taksave nga kompanitë e regjistruara në parajsat fiskale. Mediat ju referohen burimeve nga prokuroria, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, njësisë së pastrimit të parave dhe institucioneve të tjera, sipas të cilave kanë nisur të zbardhen detaje nga megaskandali skandali i “Panama Papers”. Sipas mediave nga të dhënat paraprake të “Panama Papers” rezulton se në Shqipëri janë 2 kompani, 3 perfitues dhe 22 pronarë aksionesh në parajsën fiskale panameze. Deri tani ka dalë në skenë emri i GFI Technologies, kompania e cila pak vite më parë ka fituar tenderin e ngjyrosjes së karburanteve në Shqipëri, mjaftë i debatuar nga politika dhe biznesi. Në gazetat shqiptare kanë filluar të përmenden dhe emra politikanësh shqiptare si të implikuar në këtë skandal. Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, partia e dytë më e madhe e koalicionit qeveritar, kërkoi që organet e hetimit  në vend, të jenë shumë të vëmendshëm për të hetuar çdo informacion për “parajsat fiskale”. Pas të dhënave të para, opinioni po pret me vëmendje të shumëfishuar të mësojë emrat e të implikuarve, pesha e të cilëve mund të ndikojë në zhvillimet politike në vend. Akuzat për korrupsion dhe afera korruptive janë ato që dëgjohen më shumë nga politikanët shqiptarë të të gjitha niveleve në debatet midis tyre.