KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Panariti: Buka me grurë shqiptar
Panariti: Buka me grurë shqiptar

Panariti: Buka me grurë shqiptar

Shqipëria duket se po rikthehet në parimin e mbështetjes në forcat e veta, pas embargos ruse ndaj saj. Fjala është për produktet bujqësore, veçanërisht grurit për prodhimin e bukës. “Nëse me grurin tonë tradicionalisht kemi plotësuar 40 për qind të nevojave tona për bukë me grurin tonë këtë vit aspirojmë të plotësojmë 70 për qind të tregut tonë” tha gjatë një konference për shtyp ministri shqiptar i bujqësisë Edmond Panariti. Ai garantoi se nuk bëhet fjalë për rritje të çmimit të bukës dhe se do të këmbëngulet në ruajtjen e cilësisë. “Ne kemi paraqitur paketën e re të standardeve dhe cilësisë së grurit. Do i qëndroj shumë strikt, pavarësisht nga ndonjë presion që na vjen për të çeduar. Insistojmë që gruri për prodhimin e bukës të ketë përqindjen e proteinës 12 % sepse buka është produkti kryesor që konsumohet për shqiptarët. Ne këtu do jemi nuk pritet që të ketë rritje të çmimit të grurit dhe të miellit pasi oferta është e bollshme” tha zoti Panariti.
Ministri shqiptar i Bujqësisë paralajmëroi se në shtator do të udhëtojë drejt Ukrainës me qëllim që prodhimet e freskëta shqiptarë e të konservuara të bujqësisë të hyjnë në tregun e Ukrainës, e cila është treg me peshë. Por zoti Panariti bëri të ditur se po synohet për  të zgjeruar përfaqësimin e prodhimeve të frutave dhe produkteve bujqësore në tregjet e BE-së, i cili është shumë fitimprurës. “Nëse ne shesim 1 kg domate në tregjet rajonale me 0.3 euro, në tregun gjerman kemi arritur ta shesim me 1.29 euro. Po kështu dhe në tregun e Zvicrës, Danimarkës” tha ai. Aktualisht harta e eksporteve të prodhimeve bujqësore shqiptare përfshin 20 vende, nga BE e rajoni, si dhe SHBA-në.