KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Panariti: Bursa bujqësore së shpejti në Lushnje
Panariti: Bursa bujqësore së shpejti në Lushnje

Panariti: Bursa bujqësore së shpejti në Lushnje

Shqipëria do të ketë së shpejti një bursë të prodhimeve bujqësore e cila do të ngrihet në Lushnje. Këtë e bëri të ditur ministri i bujqësisë dhe ushqimit e Edmond Panariti në një dalje për mediat. “Kjo bursë do të jetë një platformë e balancuar e çmimeve mbi bazën e ankandeve. Këto çmime do të bëhen publike edhe përmes televizioneve ekonomike, që janë të interesuara të publikojnë çmimet e referencës. Ky hap do të shënojë një transformim të madh të bujqësisë shqiptare dhe një zhvillim pioner në tregun financiar shqiptar” tha zoti Panariti.
Ministri i Bujqësisë u shpreh se në nëntë muajt e para të këtij viti, eksportet bujqesore shqiptare kanë shënuar një rritje të dukshme, rreth 24 mijë tonë më shumë prodhime të eksportuara drejt tregjeve rajonale dhe atyre të Bashkimit Europian në krahasim me një vit më parë. Ministri tha se kjo shifër pritet të rritet deri në fund të këtij viti.
Ministri Panariti gjithashtu foli për përmbytjet e ditëve të fundit, ku sqaroi se janë fenomene urbane që lidhen me problemet e trashëguara me kanalizimet e qyteteve. Ai gjithashtu u kërkoi bashkive të mirëmbajnë kanalet e dyta dhe të treta kulluese. “Nuk ka kuptim që ministria të merret me mirembajtjen e kanaleve të para, digave, hidrovoreve dhe të mos bëhet e njëjta gjë me kanalet e dyta dhe të treta. U apeloj bashkive: para këtij sezoni shirash, kryeni punimet që ju takojnë në mirëmbajtjen e kanaleve të dyta dhe të treta dhe atyre vaditese” tha zoti Panariti.