KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Panariti në Itali për kuotat e peshkimit/ligji për tarifën

Panariti në Itali për kuotat e peshkimit/ligji për tarifën

Të ndodhur para një situate ku sektori vendas i përpunimit të peshkut është zgjeruar me ritme të shpejta, duke plotësuar brenda një periudhe pesëmujore kuotat vjetore që Bashkimi Europian ka caktuar për eksportin e peshkut nga Shqipëria, Ministria e Bujqësisë është vënë para përgjegjësisë që të kërkojë rishikimin e këtyre kuotave dhe dyfishimin e tyre. Gjatë një takimi të zhvilluar në Itali me presidentin e Komisionit të Bujqësisë në Parlamentin Europian, Paolo de Kastro, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, ka kërkuar rishikimin e kuotave të peshkimit që BE ka caktuar për Shqipërinë që në vitin 2004, sidomos sa i takon specieve të vogla pelagjike, veçanërisht açugeve dhe sardeleve. Sipas Panaritit, shtimi i kuotave, do të dyfishonte të ardhurat dhe punësimin në këtë sektor, ku aktualisht janë punësuar të paktën 5 mijë persona. Aktualisht, Shqipëria ka industrinë më të madhe të përpunimit të peshkut në Evropen Qendrore dhe Lindore. Vetë sipërmarrësit prej kohësh kërkojnë shtimin e kuotave, ndërkohë që pohojnë se 10 fabrikat që operojnë aktualisht në vend i plotësojnë kuotat vjetore të BE-së maximalisht ne muajin korrik, çka çon në një situatë jo të favorshme për ta.