KRYEFAQJA » LAJME » Panariti urdhëron pezullimin e importit të shpendëve të gjallë
Panariti urdhëron pezullimin e importit të shpendëve të gjallë

Panariti urdhëron pezullimin e importit të shpendëve të gjallë

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka urdhëruar pezullimin për dy javë të importit të shpendëve të gjallë. Urdhëri i ministrit ka ardhur pasi të hënën në mbrëmje emisioni i njohur investigativ “Fiks Fare”, solli hollësi se si pulat për skartim në Greqi eksportoheshin në Shqipëri. Këto pula, që kanë vlera të kufizuara ushqimore, kalonin në kufi  pasi agjentët doganorë në shtetin grek falsifikonin lehtësisht çertifikatat e origjinës së tyre, duke ndryshuar moshën. Ndonëse bliheshin me çmime të ulta, ato ju ofroheshin konsumatorëve shqiptare me të njëjtin çmim si pulat që përdoren për konsum. “Ministri i Bujqësisë ka urdhëruar edhe inspektimin veterinar të detyrueshëm të shpendëve në kufi, deri në garantimin dhe verifikimin e origjinës” bëhej e ditur në një komunikatë për shtyp të Ministrisë së Bujqësisë.
Në fakt tregëtia e pulave për skartim nga Greqia në Shqipëri është një histori e përsëritur. Pas rënies së gripit të shpendëve, në vitin 2005 me një urdhër të veçantë të ministrit të asaj kohe Jemin Gjana, importi i tyre për në Shqipëri u ndalua. Pati një tentativë për lejimin e tyre nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2011, por sërish u la në fuqi urdhëri i ndalimit.