KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Papa firmos, më 4 shtator 2016 Nënë Tereza shpallet shenjtore
Nënë Tereza

Papa firmos, më 4 shtator 2016 Nënë Tereza shpallet shenjtore

Nënë Tereza do të shenjtërohet ditën e dielë më 4 shtator 2016. Papa Francesku I ka firmosur të martën dekretin e posaçëm për bamirësen shqiptare, 19 vjet pasi ajo ka ndërruar jetë. Cermonia do të mbahet në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Me këtë rast data 4 shtator do të shënohet në Kalendarin Apostol si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.
Më 17 dhjetorin e kaluar Papa Francsko ka firmosur dekretin për njohjen e mrekullisë së kryer nga Nënë Tereza në shërimin e plotë nga një tumor në tru, në gjëndje mjaft të avancuar, të një besimtari nga dioqeza e Santos, në San Paolo të Brazilit. Më 19 tetor të 2003 Papa Gjon Pali i II e shpalli Nënë Terezën të “E lume” e sipas rregullave të së drejtës kanonike festa e saj kremtohet çdo vit më datën 5 shtator, në ditën e lindjes.

Lajmi për firmosjen e dekretit për shenjtërimin e Nënë Terezës nga Papa Françesku, vjen në të njëjtën kohë kur figura e Atit të Shenjtë, veçanërisht vizita e tij e 21 shtatorit 2014 në Shqipëri po nderohet me vendosjen e një busti pranë Kambanës së Paqes në Tiranë. “Shenjtërimi i Nënë Terezës është mëse i merituar. Papa Fançesku shkeli në një tokë martirësh para dy vitesh duke bekuar vendin tonë” tha me këtë rast presidenti Bujar Nishani.

Ndërsa kryeministri Rama i dedikoi në Fejsbuk një status të ndjerë. “Pas lumturimit, 13 vjet më parë, Nënë Tereza ngjiti sot qiellin e lavdisë së altareve të mbarë Kishës së përbotshme, falë vullnetit të Papa Françeskut. Ajo i’u bashku kështu edhe shenjtëve që Shqipëria i ka përfalur njerëzimit dhe besimit tash sa mot. Forcë e shembullit të njehsimit me dashurinë për tjetrin, Nënë Tereza është e parëlindura shenjtore shqiptare e shekullit të ri dhe me siguri, një uratë për lumturimin e 40 martirëve shqiptarë. Të cilët u përdëllyen në mbrojtjen e besimit dhe të ndërgjegjes përgjatë kalvarit të ferrit komunist, në shekullin që lamë pas!” shkruajti në Fejsbuk zoti Rama.

Nga ana e saj Kisha katolike shqiptare priti me entuziazëm lajmin për shpalljen  Shenjte të Nënë Terezës më 4 shtator. Ambasadori i Vatikanit në Shqipëri Ramiro Ingles dhe presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Angelo Massafra, e cilësuan firmosjen e dekretit nga Papa si një vëmendje akoma më e madhe e Papës për Shqipërinë dhe shqiptarët.