KRYEFAQJA » LAJME » Paqartësi rreth takimit për Reformën në Drejtësi
Tiranë: Negociatorët në përpjekje për konsensus

Paqartësi rreth takimit për Reformën në Drejtësi

Maxhoranca socialiste duket se nuk është në sinkron me propozimin e kreut të parlamentit dhe aletatit të saj kryesor Ilir Meta, për krijimin e një qeverie teknike që do ta çojë vendin në zgjedhje të pakundërshtueshme. Arben Ahmetaj ministri shqiptar i Financave, mjaft i afërt me kryeministrin Rama, citohet nga mediat të ketë thënë se qeveria e ekspertëve nuk është zgjidhje e duhur për ekonominë shqiptare. Në kohë normale qeveritë teknike nuk kanë sukses, ka thënë zoti Ahmetaj.
Në fakt kjo është gjysma e propozimit të zotit Meta. Një ditë më parë ai propozoi miratimin me konsensus të Reformës në Drejtësi dhe më pas krijimin e një qeverie teknike që do ta çojë vendin në zgjedhje të pakundërshtueshme. Ky propozim u prit gati me enuziazëm nga kreu i opozitës Lulzim Basha.
Zoti Meta propozoi edhe një takim mes krerëve të shumicës, opozitës dhe ndërkombëtarëve. Por ndërsa palët u shprehën menjëherë të gatshëm, ende nuk ka asnjë hollësi rreth mbajtjes së takimit ndërsa ai parashikohej të zhvillohej të hënën.
Sot zoti Meta ka zhvilluar takime me ministrat e partisë së tij Manjani dhe Haxhinasto, si dhe përkrahës të LSI. Edhe kryeministri Edi Rama mblodhi të dielën në mbrëmje ministrat e tij dhe eksponentë të PS-së në vilën qeveritare në Durrës, por nuk ka hollësi rreth bisedimeve.
Ndërkaq në Tiranë gjendet eurodeputeti Knut Fleckenstein, i cili bashkë me ambasadoren Vllahutin janë takuar me zotin Rama, zotin Meta dhe zotin Basha.
Këto zhvillime dhe të tjera, i kanë shtyrë media të ndryshme të hamendësojnë skenarë lidhur me zhvillimet e mëtejshme politike në Shqipëri. Më të permendurit janë mbajtja e një referendumi për Reformën në Drejtësi, krijimi i një qeverie teknike, por edhe mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Për këto të fundit, në disa media shqiptare janë cituar burim të besueshme diplomatike, por nuk kanë patur jehonë.