KRYEFAQJA » LAJME » Paralajmërohet Reforma e Ujit
Paralajmërohet Reforma e Ujit

Paralajmërohet Reforma e Ujit

Qeveria shqiptar pritet të nisi së shpejti Reformën e Ujit, me synim përmirësimin e furnizimit të popullatës, por edhe mirëpërdorimit të kësaj pasurie. Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, gjatë një takimi me zyrtarë të Entit Europian të Ujit, tha se Shqipëria ka shumë burime hidrike, por humbjet janë të mëdha. “Prodhojmë ujë të mjaftueshëm, por problem është rrjeti, pasi 67 për qind e ujit humbet” tha ai. “Reforma e ujit synon ndryshime institucionale. Cilësia e ujit është një pjesë e rëndësishme e reformës së ujit. Kemi shumë punë për të bërë, për të siguruar cilësi dhe për të shtuar furnizimin me ujë. Në këtë reformë do ishte mirë të merrnim eksperiencen më të mirë tuaj” u tha zoti Haxhinasto zyrtarëve të Entin Europian të Ujit.
Shqipëria konsiderohet si një vend i bekuar sa u takon rezervave ujore. Pas Norvegjisë ajo ze vendin e dytë në Europë, sipas rezervave për frymë. Në Shqipëri rrjedhin rreth 1300 metër kub ujë në sekondë, por për të përmbushur në mënyrë optimale nevojat e shqiptarëve mjafton vetëm 1 përqind e kësaj rezerve. Nga niveli i prodhimit të ujit të pijshëm vendi ka një standard, që është 4 herë më i lartë se ai europian. Ndër vite në të gjithë territorin e vendit janë ndërtuar rreth 600 sisteme të furnizimit me ujë të pijshëm. Situata kthehet në paradoks kur mëson se rreth 2/3 e sasisë së prodhuar shkon dëm, humbet, pasi shumica e rrjeteve janë amortizuar. Mesatarisht shqiptarët furnizohen me ujë 11 deri 12 orë në ditë. Disa qytete si Korça, Pogradeci, Librazhdi, Gramshi e Berati, furnizohen me ujë 24 orë, por disa të tjerë vetëm 4 – 6 orë në ditë. Vetë qytetarët shqiptarë kanë investuar shuma të konsiderueshme për të siguruar ujë të vazhdueshëm në rubinetat e tyre. Në Tiranë çdo familje ka harxhuar mesatarisht 100 mijë lekë, për blerjen e rezervuarëve, pompave apo tubave, pa përfshirë energjinë elektrike që konsumojnë në të tilla raste.
Disa kohë më parë kryeministri Edi Rama e konsideroi situatën në Ndërmarrjen e UKT si më të rëndë se sa në KESH. Ai bëri të ditur se borxhet e pupullatës, por edhe institucioneve ndaj UKT janë të mëdha. Zoti Rama tha se Reforma e Ujti do të synojë shmangjen e abuzimeve, lidhjet e paligjshme, si dhe garantimit të furnizimit me ujë të pijshëm, kundrejet pagimit të detyrimeve nga ana e konsumatorëve.