KRYEFAQJA » LAJME » Paris, Kosova prezantohet me flamur në takimin ministror
flamuj

Paris, Kosova prezantohet me flamur në takimin ministror

Kosova dhe Serbia janë përfaqësuar si shtete dje në Francë, në një takim ministror të organizuar nga Ministria e Jashtme franceze. Aty ka marrë pjesë Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës Petrit Selimi dhe Ministri i Jashtëm në largim i Serbisë Ivica Daçiç, ndërkohë që në samitin e Ministrave të Ballkanit Perëndimor janë vendosur edhe flamujt e Kosovës dhe Serbisë. Vetëm pak ditë më parë, Presidenti Serbisë Tomislav Nikoliç refuzoi të marrë pjesë në festimet e pavarësisë së Malit të Zi, për shkak të pranisë së Presidentit Hashim Thaçi. Siç dihet, Serbia ka rënë dakord në bisedimet e Brukselit që të jetë bashkëpunuese në nisma të tilla. Për këtë tashmë ekziston edhe një marrëveshje me të cilën Kosova përfaqësohet me mbishkrim, i cili bën dallimin rreth statusit të Kosovës. Por Serbia kohë pas kohe nuk e respekton marrëveshjen. Takimi ministror ka pasur për qëllim përgatitjen e axhendës për samitin e 4 korrikut që organizohet me iniciativë të Presidentit Fransua Holond e ku do të marrin pjesë presidentët e Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa nga vendet e BE-së do të marrin pjesë Gjermania, Austria, Kroacia, Italia dhe Sllovenia.