KRYEFAQJA » LAJME » Parlament, debate mbi gjendjen ekonomike
Parlament, Rama dhe Berisha polemizojnë

Parlament, debate mbi gjendjen ekonomike

Polemikat mbi gjendjen ekonomike në Shqipëri kanë zënë vendin kryesor në seancën parlamentare të së enjtes. Duke u nisur nga disa raporteve të fundit ndërkombëtare mbi ecurinë ekonomike, veçanërisht “Doing business 2016” të BB, Partia Demokratike e opozitës ka sulmuar ashpër qeverinë e kryeministrit Rama. “Raporti i ditëve të fundit e tregoi se në ç’situatë ndodhet Shqipëria. Jemi ulur 35 vende. Ky është ambjenti i të bërit biznes që ka krijuar Shqipëria” tha nënkryetari demokrat Edmond Spaho. “Sot dëgjojmë në Kuvend se për çdo problem që ka sot vendi, fajin e paska qeveria e kaluar. Lërini këto sepse nuk shkojnë. Merrni masa, rregullojini gjërat. Lini diçka nga kopeja e Xhaguarëve pa blerë dhe zgjidhni problemet” ironizoi zoti Spaho.
Por kryeministri Rama tha se bllokimi i leve të ndërtimit ka sjellë situatën e krijuar. “Bllokimi i lejeve të ndërtimit ka sjellë rënien në klasifikim. Por kjo rënie është e rekuperueshme” u shpreh ai. Duke e parë pozitivisht raportin e BB, zoti Rama tha se ky institucion “…ka nënvizuar ngushtimin e defiçitit tregtar dhe papunësinë më të ulët në rajon. Gjithashtu, kjo bankë ka parashikuar që rritja ekonomike do të jetë 2.7 për qind”.
Si zakonisht në debatin parlamentar të së enjtes u përfshi dhe ish kryeministri Berisha me “akuza të reja” për vjedhje dhe korrupsion. “Rama ka udhëtuar 62 herë jashtë shtetit, ndërsa 25 herë të tjera nuk është regjistruar në sistem. Edi Rama vetëm për vete ka kontraktuar 8 makina Jaguar. Vetëm me naftën, në këto dy vjet janë vjedhur 100 milionë euro. Ortaku i Ramës mori me ofertën më të shtrenjtë ndërtesën e OSHEE-së” tha zoti Berisha.