KRYEFAQJA » LAJME » Parlament, debate për dekriminalizimin
Parlament, të hënën nis sesioni i ri

Parlament, debate për dekriminalizimin

Parlamenti shqiptar ka futur në rend të ditës projektligjin e shumëpërfolur për dekriminalizimin. Edhe pse maxhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për miratimin e tij, polemikat në sallën e parlamentit nuk kanë munguar.
Deputeti i Partisë Demokratike, ish ministri i drejtësisë Eduard Halimi, e konsideroi projektligjin si një fitore të aksionit opozitar. “Kur Lulëzim Basha fliste për persona me rekorde kriminale, Rama fliste se kishte dëshmitë e tyre të panalitetit dhe se ishin të pastër si kristali. Në 21 qershor ata fituan, si një dëshmi se krimi arrin të fitojë. Kontrata me krimin arriti të fitoj, pasi pushteti dhe shteti të bashkuar, tregoi se janë një instrument i mirë për të fituar. Ne nuk mund të ecim me këtë standard. Ndaj kemi si vullnet, dekriminalizimin e politikës. Mbështetja e kësaj kauze solli aksionin opozitar” tha zoti Halimi.
Sipas tij projektligji ka dy objektiv; të prishë kontratën me krimin dhe të largojë menjëherë personat me rekorde kriminale nga administrata. “Duhet vullnet politik për të prishur kontratën me krimin. Sot me të mirë dhe me të keq, vullneti politik është bashkuar” tha deputeti i PD.
Nga ana e tij kreu i komisionit parlamentar të sigurisë Spartak Braho, tha se nuk është normale turra­vrapi për të marrë autorësinë e projektligjit. “Doja ti jepja vëmendjen të merituar këtij procesi, i cili u bë fal marrëveshjes” tha zoti Braho. “Kemi përfunduar një proces mjaftë të rëndësishëm historik. Qëndrimi pa sens i papërgjegjshëm, si dhe kërkesa për të sjell në vëmendje dy amendamente nuk janë normale. Do ti konsideroja të pabesa këto kërkesa” tha zoti Braho duke ju referuar këmbënguljes së opozitës për të futur amendamentet lidhur me futjen në projektligj të testit të drogës për politikanët.

Miratimi i projektligjit pritet të bëhet në seancat e ardhshme, pasi më parë të miratohen ndryshimet kushtetuese.