KRYEFAQJA » LAJME » Parlament, deputeti Noka konfliktohet sërish
Parlament, deputeti Noka konfliktohet sërish

Parlament, deputeti Noka konfliktohet sërish

Deputeti i PD, ish ministri i brendshëm i qeverisë Berisha, Flamur Noka, është bërë protagonist i një tjetër konflikti në parlamentin shiptar. Ngjarja ka ndodhur në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, ku ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte ftuar për të diskutuar mbi buxhetin e dikasterit të tij. Fillimisht deputeti demokrat Noka ka shkëmbyer replika me ministrin Tahiri, por kulmi ka arritur kur me një fjalor vulgar e fyes, ai i është drejtuar kreut të Komisionit të Sigurisë Spartak Braho.  “Noka erdhi me skenar për të prishur mbledhjen. Faleminderit ju për gjakftohtësinë!” tha zoti Braho. Kjo sjellje ka bërë që Komisioni Parlamentar i Sigurisë të kërkojë përjashtimin me 10 ditë të deputetit Flamur Noka.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditëve që zoti Noka përfshihet në ngjarja të tilla. Të enjten e kaluar në seancë plenare, ai kundërshtoi me forcë daljen e kryeministrit Rama në foltore, duke mos e lejuar të marri fjalën para ish kryeministrit Berisha.