KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Parlament, diskutimi i projektbuxhetit nis me tension
Parlament, diskutimi i projektbuxhetit nis me tension

Parlament, diskutimi i projektbuxhetit nis me tension

Kryeministri socialist Edi Rama ka prezantuar të premten projektbuxhetin e vitit 2016. Zoti Rama ka zgjedhur një mënyrë origjinale për ta paraqitur dokumentin më të rëndësishëm të qeverisë. Duke bërë një pasqyrë të të ardhurave të dy viteve të qeverisjes, ai tha se vetëm në vitin 2014 u mblodhën më shumë të ardhura se në pesë vitet paraardhëse. “Të ardhurat tatimore mesatare në raporti me Prodhimin e Brendshëm Kombëtar për periudhën 2006-2013 janë 23.3% dhe 23.1% nëse nuk përfshijmë vitin e famshëm 2008, ku u hap dhe gropa e madhe në arkën e shtetit shqiptar me gjithë atë procedurë ende sot për tu gjykuar nga drejtësia që çoi në ndërtimin e rrugës së kombit. Në vitet 2014-2015, të ardhurat tatimore në raport me PBK janë 24 % e këtij prodhimi. Pra, janë në përqindje, dhe besoj është me e rëndësishme për t’iu afruar të vërtetës. Në vitet 2014-2015 të ardhurat shtesë janë 598 milionë dollarë ,në krahasim me 2013, pra më shumë se gjysëm miliardi dollarë. Të ardhurat nga tatimet e doganat 2014-2015 janë 330 mln dollarë më të larta” tha kryeministri Rama. Ai renditi si shkaqe për mos realizimin e parashikimeve rënien e çmimit të naftës në bursa, përgjysmimi importit të energjisë elektrike, rënia e importit të cigareve dhe rënia e importit të fruta perimeve, si dhe rënia e kursit të këmbimit euro-lek.
Referuar akuzave të opozitës për rritjen e borxhit, kryeministri tha se vitin e ardhshëm, borxhi do të ulet në minimumin e tij historik me 2.2 % të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.Ai e ka quajtur një propagandë të shfrenuar shpifëse deklaratat e opozitës duke treguar një të pavërtetë për rënien e të ardhurave nga parashikimi dhe borxhin.”Faktet flasin se borxhi i marrë në këto dy vite është ulur ndjeshëm”, tha kryeministri Rama.
Tensioni në sallën e parlamentit u ngrit ndjeshëm kur zoti Rama akuzoi opozitën se kishte shpërbërë shtetin dhe kishin poshtëruar parlamentin. Deputetët e opozitës reaguan në bllok duke bllokuar foltoren. Kjo e shtyu kryetarin e parlamentit Ilir Meta të shtynte seancën për disa minuta.

RTSH e transmeton direkt seancën.