KRYEFAQJA » LAJME » Parlament, kërkohet seancë dëgjimore mbi kërcënimet ndaj kryeprokurorit
seance-degjimore-per-kercenimin-e-llalles

Parlament, kërkohet seancë dëgjimore mbi kërcënimet ndaj kryeprokurorit

Dy deputetët e maxhorancës Xhemal Qefalia dhe Arben Çuko kërkuan të mërkurën seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare, me kryeprokurorin Adratik Llalla, me kreun e SHISH Visho Ajazi dhe me drejtorin e policisë së shtetit Haki Çako. Kërkesa për këtë seancë erdhi pas lajmeve të publikuara në media se kreu i akuzës kishte marrë kërcënime. Me një letër drejtuar kryetarit të Komisionit të Sigurisë Z. Spartak Braho, dy deputetët argumentojnë se kërcënimi i jetës së kryeprokurorit, është kërcënim për sigurinë kombëtare. Për këtë arsye bazuar në disa nene të rregullores së kuvendit dy deputetët kërkojnë një seancë informimi për shqetësimet e ngritura në media. Në përgjigje të kësaj letre kreu i komisionit Braho u ka kërkuar deputetëve që të respektojnë rregulloren, pikërisht në nenin 36 të saj ku thuhet se seancat dëgjimore realizohen kur ato i kërkon me shkrim një e treta e deputetëve të këtij komisioni. Pritet që pas përgjigjes së Zotit Braho, dy deputetët nismëtare të mbledhin firmat për të realizuar seancën dëgjimore për për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje. Vetë zoti Llla nuk ka pranuar të flasi.