KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Parlament, komisionet diskutojnë rreth ekskluzivitetit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”
China Everbright Limited pronare e aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza"

Parlament, komisionet diskutojnë rreth ekskluzivitetit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto si dhe ai i Financave, Arben Ahmetaj, kanë dhënë të mërkurën para komisionit parlamentar të ekonomisë më shumë hollësi rreth marrëveshjes së arritur me Kompaninë “Tirana Airport Partners” për zvogëlimin e rrezes së ekskluzivitetit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Marrëveshja e lidhur në datë 15 tetor të vitit 2004, në kohën e kryeministrit socialist Fatos Nano, në nenin 2.3 të saj, kishte parashikuar që për një afat 20-vjeçar koncesionari kishte të drejtën e ekskluzivitetit për të gjitha fluturimet ndërkombëtare në një rreze 200 km, praktikisht në të gjithë territorin shqiptar. Pas një periudhe dy vjeçare bisedimesh me TIA-n, ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe ajo e Ekonomisë arritën në një marrëveshje për zvogëlimin e rrezes së veprimi rreth 100 kilometra në vijë ajrore. Brenda saj përjashtohen aeroporti i Kukësit dhe aeroporti i Vlorës, të cilët shpresohet të vihen në funksionim së shpejti. Në këmbim të zvogëlimit të rrezes së ekskluzivitetit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, konçesioni me TIA-n do të zgjatet edhe me dy vjet.
Deputetët e opozitës në komision thanë se qeveria nuk ka patur në tavolinën e bisedimeve asgjë për ofrimin e çmimeve më të lira për qytetarin, ndërsa nuk ka një afat të caktuar se kur do të bëhet e mundur hapja e dy aeroporteve, atij të Kukësit e Vlorës. Shqetësimeve të deputetit demokrat Sherefdin Shehu, zoti Haxhinasto ju përgjigje se “ne buxhet nuk ka asnje efekte sepse te ardhurat qe do merreshin nga aeroporti i Tiranës do merren nga aeroportet e tjera “. Lidhur me çmimet e biletave, të cilat pranohet se janë më të lartat ndër vendet e rajonit, ministri tha se ato i vendos tregu, ndërsa detyra e qeverisë është të krijojë standartet e tregut. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto tha se brenda 6 muajve do të ketë një studim fizibilitetit, mbi bazën e të cilit do të vendoset ndërtimi i një aeroporti në jug të Shqipërisë. Ndërkaq qeveria po shikon mundësinë e një investimi prej 2.5 milionë eurosh për të bërë funksional aeroportin e Kukësit.