KRYEFAQJA » LAJME » Parlament, maxhoranca e majtë miraton ligjin e vettingut
Parlament, maxhoranca e majtë miraton ligjin e vettingut

Parlament, maxhoranca e majtë miraton ligjin e vettingut

Në një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit shqiptar, maxhoranca e majtë ka miratuar ligjin e vetting-ut për përzgjedhjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa opozita e djathtë ka braktisur sallën. Rezultati i votimit 88 vota pro dhe 1 abstenim, ka konfirmuar ndërkohë një maxhorancë të fortë në mbështetje të qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Abstenimi erdhi nga Vangjel Dule, kreu i PBDNJ, ish aleat i qeverisë.
Votimit i parapriu një debat i fortë veçanërisht mes dy figurave kryesore të maxhorancës dhe opozitës, kreut të qeverisë Rama dhe paraardhësit të tij Berisha.
Zoti Rama e konsideroi miratimin e ligjit si hapin më të rëndësishëm të të gjithë reformës në drejtësi. “Sot jemi pranë një kurorëzimi të rëndësishëm, që është baza e reformës në drejtësi, që i hap rrugë fshesës së hekurt në pallatin e drejtësisë dhe nis spastrimin e saj nga ata që kanë marrë peng drejtësinë në këtë vend, kanë marrë peng liri e të drejta, e kanë kthyer drejtësinë në një mall që shitet e blihet dhe kanë penguar jo vetëm çdo qytetar në rrugën e vetë për të marrë të drejtë, por një popull të tërë” tha zoti Rama. “Ne i bëmë të gjithë përpjekjet për konsensus, por nuk mund të ketë një konsensus alla shqiptarçe që bie ndesh me atë të partnerëve, në kuadër të integrimit në BE” shtoi ai. Sipas kryeministrit shqiptar “nga kjo reformë çdo politikan, sado legjendar e sado historik do ta ketë të pamundur t’i shpëtojë drejtësisë përmes kërcënimeve dhe përmes thirrjeve një pjese të popullsisë që të urrejë pjesën tjetër”.
Ish kryeministri Berisha tha se “Opozita ka luftuar shumë për standardin e këtij ligji”, por akuzoi maxhorancën se “tani po prishet konsensusi”. “Konsensusi është sanksionuar në Kushtetutë, por nëse do ta bëjmë vetting-un duhet t’u përmbahemi amendamenteve se atë e bën Byroja Kombëtare e Hetimit” tha zoti Berisha. Më parë një tjetër eksponent i opozitës kreu republikan Fatmir Mediu tha se maxhoranca po miraton një ligj që përmbush vetëm interesat e saj politike, por “opozita nuk mund të bëhet pjesë e një farse ligjore” tha ai.
Në një zhvillim të fundit ambasada amerikane në Tiranë ka përshëndetur miratimin e ligjit të vettingut. “Përgëzojmë ata Anëtarë të Parlamentit të cilët votuan në favor të këtij hapi të rëndësishëm për zbatimin e amendamenteve kushtetuese të aprovuara unanimisht më 22 korrik”  bëhet e ditur në një deklaratë të saj . Më tej shprehet shpresa se “presim të shohim aprovimin e plotë dhe në kohë të ligjeve të tjera për zbatimin e kësaj reforme kritike që gëzon mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve”.