KRYEFAQJA » LAJME » Parlament, mes kaosit dhe zhurmës së opozitës , maxhoranca miraton ndryshimet në qeveri
Parlament, mes kaosit dhe zhurmës së opozitës , maxhoranca miraton ndryshimet në qeveri

Parlament, mes kaosit dhe zhurmës së opozitës , maxhoranca miraton ndryshimet në qeveri

Në parlamentin shqiptar opozita e djathtë thelloi më tej aksionin e saj opozitar. Kryefjala e këtij aksioni ishte rikthimi në parlament i deputetit Armando Prenga, i cili po gjykohet për përfshirje në një konflikt të armatosur pak muaj më parë. Deputetët e pritën të irrituar vendimin e Konferencës së Kryetarëve për rrëzimin e kërkesës së PD-së, për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të dy nismave të propozuara nga opozita për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit dhe të ligjit për funksionimin e komisioneve hetimore. “Zgjedhja jonë është parlamenti pa kriminelë” tha kreu i grupit parlamentar Edi Paloka. Nga ana e tij deputeti Prenga ka deklaruar se nuk do të hyjë në parlament derisa gjykata të japi vendimin përfundimtar. Deputetët demokratë ngritën zërin dhe përplasën duart në tavolinë, për të pamundësuar punimet. Pas një ndërperje disa minutëshe senaca rifilloi. Mes zhurmës dhe kaosit të deputetëve të opozitës, deputetët e maxhorancës miratuan ndryshimet e qeverisë. Ndërsa seanca ishte drejt përfundimit, deputetët e opozitës janë grumbulluar në një provë force para podiumit. Ndërsa po largohej, ndaj kryeministrit Rama është hedhur vezë nga një deputet opozitar, por ai ka goditur murin.

Jashtë parlamentit figura të njohura të opozitës, ish kreu i saj Berisha dhe ish kryetarja e parlamentit Topalli, lëshuan deklarata të ashpra ndaj maxhorancës dhe u shprehën të vendosur të vazhdojnë kundërshtimin e tyre. Sipas tyre vendi ndodhet në udhëkryq dhe situata kërkon zgjidhje.

Por deputeti socialist Taulant Balla e konsideroi sjelljen e opozitës si një alibi për të bllokuar kuvendin dhe reformën në drejtësi e cila po kërkohet me ngulm nga ndërkombëtarët. Duke komentuar nismat e propozuara nga opozita për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit dhe të ligjit për funksionimin e komisioneve hetimore, zoti Balla tha se ligjet nuk janë ndërtime pa leje si në kohën e PD.