KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Parlament, nis diskutimi i buxhetit 2016 dhe paketës fiskale
Parlament, nis diskutimi i buxhetit 2016 dhe paketës fiskale

Parlament, nis diskutimi i buxhetit 2016 dhe paketës fiskale

Me mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, parlamenti shqiptar ka nisur valën e diskutimeve për buxhetin e  shtetit 2016 dhe paketën fiskale. Ministri i financave Shkëlqim Cani, e vlerësoi buxhetin e 2016 si buxhetin e mirëqënies së qytetarëve. Sipas tij kjo do të arrihet përmes mbështetjes së reformave strukturore, të cilat do ti japin gjallëri dhe rritje zhvillimit ekonomik. Ai tha se rritja ekonomike për vitin e ardhshëm parashikohet 3,4 përqind. Ministri tha se për herë të parë në vitin 2016, do të arrihet të përgjysmohet deficiti buxhetor, ndësa borxhi publik do të ulet në 70,9 për qind të PPB.
Kreu i financave shqiptare tha se reforma ndaj informalitetit do të vazhdojë dhe në 2016. Sipas tij kjo “betejë” do të sjellë 14,5 mld lekë të ardhura shtesë në buxhet.Një zë tepër i rëndësishëm në buxhet do të jenë investimet publike, që llogariten sa 6 përqind e prodhimit kombëtar.
Por opozita u shpreh kundër draftit financiar. ish ministri më jetëgjatë i financave Ridvan Bode, tha se buxheti sjell rritje të barrës fiskale përmes taksave, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk arriti dot të ishte eficente në mbledhjen e taksave përgjatë këtij viti. Sipas zoti Bode buxheti nuk është realist.
Buxheti i viti 2016 dhe paketa fiskale, pritet të miratohen në mes të dhjetorit. Si zakonisht debatet rreth tij në parlament parashikohet të kthehen në beteja të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës.