KRYEFAQJA » LAJME » Parlament, polemika të ashpra për vetingun
Sot seanca për Reformën në Drejtësi, por miratimi në dyshim

Parlament, polemika të ashpra për vetingun

Një javë para votimit në parlament të ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, çështja e vetingut të institucioneve të drejtësisë, veçanërisht përfshirja në kushtetutë e ekspertëve ndërkombëtarë, po kthehet në një polemikë të ashpër mes maxhorancës dhe opozitës.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi të enjten në parlament kreun socialist dhe kryeministrin Edi Rama, se po synon të përjashtojë opozitën e djathtë nga Reforma në Drejtësi. “Fjala konsensus nuk ekziston për Edi Ramën, që udhëhiqet nga urrejtja më e madhe njerëzore, që celebronte fitoren me 1 milion grushte ndaj opozitës” tha zoti Berisha. Sipas tij maxhoranca po kërkon që gjykatësit t’i emërojnë të huajt.”Roli i vetingut nga të huajt është i domosdoshëm, por jo t’u japim sovranitetin në vendin tonë. Rama ka thënë se vetingun ia besoj amerikanëve dhe evropianëve” tha zoti Berisha. Sipas tij propozimi i fundit i opozitës, që lejon vetingun, por përjashton ndërkombëtarët nga ky proces, është “i shkëlqyer”. “Propozimi i ri i opozitës është i shkëlqyer, por i negociueshëm” këmbënguli zoti Berisha.
Në përgjigje të deklaratave të ish kryeministrit demokrat, dy herë ish kryeministri socialist Pandeli Majko tha mjaftë i prekur se “Nëse ka një shkronjë (në draftin kushtetues) ku preket sovraniteti i Shqipërisë unë nuk qëndroj më deputet në këtë vend”. Sipas tij “ajo që po bëjm aktualisht me ndihmën e miqve tanë është një reformë, e cila do të qërrojë dhe do largojë gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që u nxijnë faqen gjithë atyre që punojnë brenda sistemit”. Ndërsa deputeti Fatmir Xhafaj që ka drejtuar gjithë procesin e reformës , e konsideroi gënjeshtër deklaratën e opozitës se ndërkombëtarët do të emërojnë gjyqtarët. “Ata do të vlerësojnë vetëm 21 vetët që do të bëjnë vetingun dhe nuk do të kenë rol vendimmarrës, por rol procedurial” tha zoti Xhafaj.
Situata duket se do të komplikohet edhe më tej pasi në krahun e PD është rreshtuar edhe LSI, partia e dytë e koalicionit qeveritar. Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, tha të enjten se Shqipëria është republikë parlamentare dhe nuk mund të bëjë eksperimente siç ishte rasti me firmën britanike në kontrollin e doganave Crown Agents, rezultatet e të cilës ishin tepër të hidhura.
Por ndërkombëtarët vazhdojnë të bëjnë thirrje që reforma të miratohet. Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e shërbimit të jashtëm të Bashkimit Europian Helga Shimd e cila ndodhet në Tiranë, ka deklaruar se Bashkimi Europian shpreson se më 21 korrik, Reforma në Drejtësi do të miratohet. Ajo ka theksuar se është koha dhe përgjegjësia personale e çdo deputeti të përfitojë nga ky moment historik dhe të votojë reformën.