KRYEFAQJA » LAJME » Parlament, Rama dhe Berisha polemizojnë
Parlament, Rama dhe Berisha polemizojnë

Parlament, Rama dhe Berisha polemizojnë

Seanca parlamentare e së enjtes, u kthye siç mund të merret lehtë me mend në një arenë përplasjesh mes maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë. Veç ngjarjave të ditëve të fundi për të cilat palët ndajnë opinione të ndryshme, debati më së shumti u përqëndrua tek Reforma në Drejtësi. Kryeministri Edi Rama përsëriti akuzat e njohura ndaj PD, se ajo po i shmanget dhënies së miratimit të kësaj reforme. “Ju i shmangeni reformës në drejtësi si djalli temianit, dhe nxirrni vetëm pretekste, përralla vetëm për të shtyrë reformën në drejtësi” tha zoti Rama . Duke komentuar deklaratat e një ditye më parë nga kreu i opozitës Basha, sipas të cilave nuk ka rëndësi koha por produkti që del prej saj, zoti Rama tha:”Lëreni këtë valle dhe uluni t’i japim fund kësaj historie që po bëhet gjithmonë e më shumë një barrë e rëndë në kurriz të këtij populli e vendi që meriton të çelë negociatat këtë vit për tu bërë anëtar i BE-së dhe për hir të së drejtës për të pasur drejtësi meriton të shembet ky sistem para syve të vet siç e garanton kjo reformë” . “Lërini alibitë se nuk ju shpëton as Frroku, as Rroku, as Noku, as Shulla, as Hazi, as Shullazi as Saliu. Nuk ju shpëton dot nga reforma në drejtësi” paralajmëroi kreu i maxhorancës opozitën.
Ashtu siç pritej reagimi në emer të opozitës erdhi nga ish kryeministri Sali Berisha. “Ky është shefi i organizatës më të rrezikshme kriminale që ekziston në Europë dhe botë” tha ai për zotin Rama, ndërsa solli një histori sipas të cilës njerëz të botës së krimit janë lidhur me qeverinë. Zoti Berisha sulmoi mjaftë ashpër edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili një ditë më parë udhëhoqi një protestë qytetare përballë gjykatës administrative, e cila pritet të gjykojë rreth një ndërtimi tek Liqeni Artificial, ndërtim që bashkia e kundërshton. Sipas zotit Berisha kreu i bashkisë Veliaj në një veprim të paprecedentë ka kërcënuar gjykatën. “I bëj thirrje grupit parlamentar të PD të nisë menjëherë procedurat për shkarkimin e atij që rreth gjykatat, për shkarkimin e këtij eksponenti të shpërfyturuar nga çdo normë dhe standard” tha zoti Berisha.