KRYEFAQJA » LAJME » Parlament, Rama e Dule përplasen për Kishën e Dhërmiut
Parlament, Rama e Dule përplasen për Kishën e Dhërmiut

Parlament, Rama e Dule përplasen për Kishën e Dhërmiut

Historia e prishjes të së quajturës Kisha e Dhërmiu është sjellë të enjten në sallën e parlamentit shqiptar. Ish aleati i koalicionit qeveritar, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kishte thirrur në interpelancë kryeministrin Rama.  “Nuk e kuptoj sesi në vendin tonë mund të shembet një objekt fetar. Nuk e besoja se do të vinte një moment i tillë. Dua të di bazën ligjore për prishjen e kishës” shprehu shqetësimin  e tij zoti Dule duke kujtuar ndërkohë edhe reagimin e Athinës zyrtare dhe disa institucioneve europiane. Kreu i PBDNJ tha se nuk mund ta besonte që në nje vend me harmoni fetare si Shqipëria të ndodhte diçka e tillë.
Por kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria e tij nuk ka prishur asnjë kishë. “Ngrehina e rrëzuar, për të cilën ju dhe shumë të tjerë bëtë kaq shumë potere, nuk është kisha martire e Shën Thanasit, dhe nuk ka qenë kurrë kishë. Kanonet kishtare na mësojnë se jo çdo objekt kulti meriton të quhet kishë. Ajo ngrehinë nuk ka qenë ndonjëherë e siguruar konform rregullave nga Autoriteti Kishtar. Objekti i interpelancës është nul pasi Inspektorati Ndërtimor nuk ka shembur kishë. Ajo ishte ngrehinë, garazh apo stallë pa leje, e ndërtuar nga brutaliteti individual i viteve ’90” tha zoti Rama. Ai tha se pjesa dërrmuese e banorëve atje ka qenë dakord me prishjen e objektit. Debati midis tyre ka vazhduar rreth një orë, por veç këndvështrimeve të ndryshme rreth ngjarjes, ai reflektonte edhe marrdhëniet e tensionuara  mes tyre që kanë çuar në një tërheqje të PBDNJ nga koalicioni qeveritar.