KRYEFAQJA » LAJME » Parlament, të hënën nis sesioni i ri
Parlament, të hënën nis sesioni i ri

Parlament, të hënën nis sesioni i ri

Parlamenti shqiptar do të nisë sesioni parlamentar të këtij viti më 18 janar, në orën 17. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, në rend të ditës janë shtatë pika, por pa dyshim më e rëndësishmja do të jetë pika e shtatë që parashikon diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Seanca parlamentare e së hënës vjen pas disa zhvillimeve intensive të ditëve të fundit lidhur me Reformën në Drejtësi. Pakënaqësitë dhe kundërshtimet e palëve mbi këtë reformë, pritet të reflektohen edhe në sallën e parlamentit.
Ka njoftime se nisja e sesionit të ri parlamentar do të shoqërohet me daljen në skenë të grupeve të reja parlamentare. Kështu grupet parlamentare të PDIU dhe PR, të cilët më parë nuk egzistonin si të tilla për shkak të mungesës së numrit minimal të shtatë deputetëve, tashmë do të rikthehen. Këto parti kanë marrë “borxh” deputetë nga partitë e tjera, kryesisht ato të mëdha, PS, PD dhe LSI. Përbërja e këtyre grupeve reflekton zhvillimet brenda tyre edhe disa ndryshime të orientimit politik. Kështu PDIU i ka marrë deputetët e saj nga PS për LSI, duke paralajmëruar një mbështetje ndaj maxhorancës. PR ka marrë deputetë nga PD për të krijuar grupin e saj parlamentar, duke konfirmuar qëndrimin në opozitë. Gati nga të gjitha grupet parlamentare për shkak të zhvillimeve brenda partive janë larguar disa deputetë. Sipas listës janë të 8 deputetë të cilët kanë preferuar të qëndrojnë nën siglën e të pavarurve.