KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Parlamenti grek miraton dy projektligje të diskutueshme
parlamenti grek, miratim, reforme, pensionet, taksat, te ardhurat, protesta

Parlamenti grek miraton dy projektligje të diskutueshme

Pas një seance dyditore tepër të tensionuar, Parlamenti grek ka miratuar me 153 vota pro dhe 143 kundër, nga 296 deputetë të pranishëm në sallë, dy projektligjet e diskutueshme të pensioneve dhe tatimtaksave, që do të sjellin masa me vlerë prej 5.4 miliardësh në këmbim të paketës financiare të ndihmës për vendin, në 3 vitet e ardhshme. Kryeministri Tsipras mbrojti reformat e qeverisë së tij, duke thënë se masat nuk prekin rreth 93% të popullsisë, ndërsa është kritikuar ashpër nga të gjithë udhëheqësit e tjerë të partive opozitare. Projektligji në fjalë ka ndeshur në kundërshtimin e ashpër të sindikatave greke, që shpallën një grevë 48-orëshe nw fundjavw, ndërsa para votimit që mbaroi pas mesnate, protestues anarkistë kanë hedhur bomba molotov ndaj policisë në sheshin para Parlamentit, e më pas konfrontimet janë zhvendosur në lagjen “Eksarqia” të kryeqytetit. Me votimin e dy reformave të kërkuara, ministri grek i Financave do tw marrw pjesw në samitin e rëndësishëm të Eurogrupit në Bruksel, me shpresën të nënshkruajë marrëveshjen me huadhënësit e Greqisë, duke hapur edhe bisedimet për reduktimin e borxhit dhe duke bërë të mundur lëvrimin e ndihmës ekonomike.