KRYEFAQJA » LAJME » Parlamenti miraton ligjin e dekriminalizimit, ambasada amerikane dhe delegcioni i BE e përshëndesin
Sot seanca për Reformën në Drejtësi, por miratimi në dyshim

Parlamenti miraton ligjin e dekriminalizimit, ambasada amerikane dhe delegcioni i BE e përshëndesin

Parlamenti shqiptar ka miratuar më në fund ligjin e shumëdebatuar të dekriminalizimit. Pozita dhe opozita si rrallë herë bashkuan 131 vota, pro këtij ligji i cili vlerësohet nga më të ashpërit në Europë për të ndaluar depërtimin e kriminelëve në politikë.
Më parë paralamenti kishte miratuar edhe ndryshimet e kushtetuse të cila presidenti Nishani i kishte dekretuar menjëherë. Por kundërshtitë edhe këtë herë nuk kanë munguar. Me votat e mazhorancës është rrëzuar amendamenti i deputetit demokrat Oerd Bylykbashit për testin e drogës, ndërsa nuk janë miratuar amendamentet e propozuara nga deputetja Mesila Doda dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Një nga nenet e paketës ligjore përcakton se deri në 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, titullarit të institucionit publik dhe vetë personave që preken nga ligji, u lihet kohë që të verifikojnë pastërtinë e tyre.
Ambasada Amerikane në Tiranë dhe delegacioni i BE e përshëndetën menjëherë këtë hap të hedhur nga parlamenti shqiptar. “Ambasada e SHBA mirëpret vendimin e guximshëm të parlamentit shqiptar për miratimin e ligjit për dekriminalizimi. Ky ligj është më i ashpri në Europë kundër kriminelëve në politikë. Ndërkohë që ky ligj është rezultat i punës së madhe si nga shumica ashtu edhe nga opozita, në fund të fundit ai është një fitore për qytetarët shqiptarë që duan qeverisje të pastër dhe fundin e korrupsionit. Ndërsa mbetet ende shumë punë për t’u bërë në luftën e Shqipërisë kundër krimit dhe korrupsionit, ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend” shkruhet në një deklaratë të ambasadës amerikane.
Ndërsa delegacioni i BE-së shpreson se “Ky ligj pritet të forcojë sundimin e ligjit dhe të rrisë integritetin e të zgjedhurve në mesin e zyrtarëve publikë, të forcojë luftën kundër korrupsionit, por edhe të rrisë besimin e qytetarëve në funksionimin e shtetit dhe institucioneve shtetërore. Miratimi i kësaj pakete legjislative tregon se dialogu konstruktiv ndërpartiak është mënyra më e mirë për të ndjekur reformat e tjera të nevojshme për vendin”.
Delegacioni i BE-së në Tiranë “u bën thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri që të angazhohen në dialog konstruktiv për të gjitha sfidat e tjera të rëndësishme dhe shumë delikate të formave në Shqipëri, mbi të gjitha për reformën e drejtësisë. Progresi në agjendën e reformave është vendimtare për të çuar më tej rrënjosjen e sundimit të ligjit dhe për ta çuar vendin përpara në rrugën drejt integrimit europian” theksohet në deklaratën e delegacionit të BE-së.