KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Parlamenti miraton në parim buxhetin e viti 2016
Sot seanca për Reformën në Drejtësi, por miratimi në dyshim

Parlamenti miraton në parim buxhetin e viti 2016

Parlamenti shqiptar, mesnatën mes të premtes dhe të shtunës, miratoi me 84 vota pro në parim projektbuxhetin e vitit 2016, ndërsa me 85 vota pro, miratoi paketën fiskale. Seanca zgjati rreth 16 orë dhe pati debate të shumta shpesh edhe me momente tensioni.
Kyeministri Edi Rama tha se modeli i maxhorancës stimulon rritjen e ekonomisë. Qeveria parashikon një zgjerim me 3.4 përqind të ekonomisë shqiptare për vitin e ardhshëm.
Por, opozita tha se ky është buxhet i varfërisë, i cili braktis ekonominë dhe ngrin përfitimet për qytetarët. Ish ministri i Financave, Ritvan Bode, tha se buxheti nuk i përgjigjet pritshmërive të qindra mijëra familjeve shqiptare që lidhen me politikat e qeverisë për pagat, pensionet apo shërbimet, apo atyre familjeve që kanë biznese e që lidhen me oreksin e kësaj qeverie. Ish kryeministri Sali Berisha, si zakonisht protagonist i seancave parlamentare tha se buxheti i vitit të ardhshëm është një buxhet i katastrofës, por që do të shënojë dhe rënien e qeverisë.
Në seancën e fundit parlamenti hodhi poshtë projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike “për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar për akuzat e ngritura për cështjen CEZ”. Nisma ligjore e PD-së, e shqyrtuar në parim në parlament në seancën e ditës së enjte, u votua me 52 vota kunder dhe 63 vota pro, duke mos marre numrin e nevojshëm të votave për miratim.
Me 78 vota pro, 44 vota kunder dhe 1 abstenim projektligjin parlamenti miratoi projektligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, që synon t’i japë zgjidhje përfundimtare kësaj problematike të nisur prej gati 25 vjetësh.
Me 84 vota pro, 40 vota kunder dhe 1 abstenim Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal. Sipas ndryshimeve personat që kanë detyrimin të lëshojnë kuponin tatimor, në rastet e mospërmbushjes së tij, fillimisht do të ndëshkohen me masën administrative që parashikon gjobë në vlerën e 500 mijë lekëve, ndërsa në rast përsëritje, me masë penale, dënim me burg deri në tre vjet.
Këto projektligje u debatuan mjaftë ashpër mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, ndërsa pritet të jenë edhe më tej në qendër të  luftës politike.