KRYEFAQJA » LAJME » Parlamenti nis punimet me debate
Parlamenti nis punimet me debate

Parlamenti nis punimet me debate

Parlamenti shqiptar çeli pasditen e së hënës punimet e sesionit të VI-të parlamentar të legjislaturës së VIII-të, sfida kryesore e të cilit pritet të jetë reforma në drejtësi. Kryetari i parlamentit Ilir Meta, tha se kjo reformë duhet të jetë transparente dhe gjithperfshirëse. Realizimi i saj do të përmbushte dhe kërkesat mbarëqytetare për ngritjen e sistemit të drejtësisë ne vend, tha ndër të tjera zoti Meta. Ai shtoi se sfida të tjera për parlamentin do të jenë zbatimi i ligjit për integritetin e figurës së funksionarëve publikë dhe miratimi i kodit të sjelljes së deputetëve.
Ashtu siç pritej kreu i grupit parlamentar të PD të opozitës Edi Paloka, sulmoi ashpër kreun e qeverisë Edi Rama. “Edi Rama nuk bind dot askënd se mund të bëhet kalorës i luftës kundër korrupsionit. Ai do të kapë drejtësinë, sepse do të mbrojë kriminelët dhe të korruptuarit. Kjo është aresyeja qe as nuk kërkon dhe as nuk pret konsensus” tha zoti Paloka. “Taksat e reja, cmimet e larta dhe pushimet masive nga puna ishin dhurata që u bëri Rama shqiptarëve per Vitin e Ri” shtoi më tej zoti Paloka. Ai përsëriti qëndrimin e njohur të PD se alternativa e vetme për zgjidhjen e kesaj situate është krijimi i një qeverie teknike dhe çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruci, renditi ato që ai i cilësoi arritje dhe dështime të sesionit të kaluar parlamentar. Sipas tij shpërdorimi i fjalës në parlament nga opozita, mosshfrytëzimi i gjysëm orëshit në seancë për të folur për problemet e votuesve, mosekzistenca e kontrollit parlamentar ishin disa nga dështimet e sesionit të kaluar parlamentar. “Do të kërkoja dy gjëra: e para te zbatohej me përpikmëri rregullorja, që secili t’i nënshtrohej procedurave dhe së dyti të përdoren të gjithë instrumentat parlamentare që ne të justifikojmë atë për të cilin jemi këtu” tha zoti Ruci.