KRYEFAQJA » LAJME » Parlamenti shqiptar miraton me 140 vota Reformën në Drejtësi
Parlamenti shqiptar miraton me 140 vota Reformën në Drejtësi

Parlamenti shqiptar miraton me 140 vota Reformën në Drejtësi

Pa dyshim mesnata e 21 korrikut të këtij viti do të shënohet në historinë e Shqipërisë. Parlamenti shqiptar pas shumë peripecish ka votuar Reformën në Drejtësi, një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë postkomuniste të Shqipërisë. Si rrallë herë, pavarësisht nga bindjet politike dhe polemikave mes tyre, deputetët e të gjitha krahëve kanë ngritur kartonin jeshil dhe kanë votuar reformën. Rezultati ka qenë 140 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Votimi u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit, madje edhe nga trupi diplomatik, dy prej përfaqësuesve kryesorë prej të cilëve, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE Romana Vllahutin, me këmbënguljen e tyre kanë lënë gjurmë të pa shlyueshme në këtë ngjarje. Kreu i parlamentit Ilir Meta e quajti votimin një konsensus historik.

Kryeministri socialist Edi Rama me një fjalim vlerësues, por edhe kritik tha se “Vota e sotme do të çelë siparin e një revolucioni në sistemin e drejtësisë.  I siguroj shqiptarët se gjykatësit e prokurorët e korruptuar do i fshijë fshesa e vetingut”. Ndërsa lideri demokrat Basha tha se “Reforma në Drejtësi që sot u miratua me konsensusin e plotë të parlamentit të Shqipërisës është një ogur i mire për bashkimin e shqiptarëve për drejtësinë e standartit europian”. Por sipas tij kjo ishte një betejë që duhet ti bashkonte shqiptarëve, ndërsa ju imponua. Zoti Rama dhe zoti Basha, ndërsa vlerësuan kontributet e grupimeve të tyre politike, akuzuan kundërshtarët për krijimin e pengesave të qëllimta.

Miratimi i Reformës në Drejtësi pritet të hapi një faqe të re për Shqipërinë. Në planin e jashtëm shpresohet që Komisioni Europian t’i propozojë Këshillit që t’i fillojë sa më shpejt bisedimet e anëtarësimit për  Shqipërinë. Ndërsa në planin e brendshëm priten zhvillime intensive në politikën shqiptare, veçanërisht brenda koalicionit qeveritar. Tashmë është e qartë që marrëdhëniet midis PS dhe LSI nuk janë në një ditë të mirë. Disa deklarata të zotit Meta dhe konflikti i tij i fundit me deputetin socialist Xhafa, e kanë konfirmuar këtë situatë. Disa analistë kanë filluar të krijojnë skenare rreth zhvillimeve të mundshme, një vit para zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre presidenciale në Shqipëri. Më së shumti po komentohen deklaratat e kreut të parlamentit njëkohësisht dhe kreut të LSI Ilir Meta, i cili ka parë si një mundësi dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie teknike që do  të çojë vendin në zgjedhje të pakundërshtueshme nga palët.