KRYEFAQJA » LAJME » Parlamenti shqiptar përfshihet nga debatet lidhur me progres raportin e fundit të KE
Parlamenti shqiptar përfshihet nga debatet lidhur me progres raportin e fundit të KE

Parlamenti shqiptar përfshihet nga debatet lidhur me progres raportin e fundit të KE

Parlamenti shqiptar u përfshi të enjten nga debatet lidhur me progres raportin e fundit të KE-së lidhur me ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit.
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti dhe nënkryetari Taulant Balla, i bëri thirrje opozitës të bashkëpunojë për reformën në drejtësi. “Ajo që kërkon KE është që palët, domosdoshmërisht dhe bashkarisht, të realizojnë përmes një procesi gjithëpërfshirës, reformën në drejtësi, e cila ka marrë deri tani vlerësimin e të gjitha autoriteteve për mënyrën e draftimit. Bëhuni pjesë e këtij procesi dhe mos e sulmoni pa qënë pjesë e tij. Është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë disa detyra shtëpie për një vendim pozitiv në pranverën e vitit të ardhshëm. Duhen bërë hapa konkretë me miratimin në parlament të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve të tjera për reformën në drejtësi” tha zoti Balla.
Nga ana e tij kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, akuzoi qeverinë e maxhorancës si shkaktaren kryesore që Shqipëria nuk po cel bisedimet me BE. “Rezultati është një “JO” hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe këtë nuk e ndryshon dot askush. Korrupsioni dhe krimi janë futur deri në kupolën shtetërore. Fajtori për këtë është një dhe vetëm një, Edvin Rama, i cili sot iu dha sihariqin e fundit shqiptarëve, u riktheu ligjin e agjitacionit dhe propagandës. Burg, burg, burg, por në Europë nuk shkohet me burg. Burg për fjalën e lirë, burg për ata që nuk kanë bukë të hanë” tha ndër të tjera zoti Paloka.
Në debat tërhoqën vemendjen deklartat e ish kryeministrit Berisha, i cili bëri thirrje për përfshirjen në atë që ai e quajti revolucion demokratik. Ndërsa deputeti socialist Ben Blushi, i njohur për kritikat e tij tha se  shtyrja e procesit të integrimit për Shqipërinë ka ardhur si pasojë e kriminalizimit të politikës.