KRYEFAQJA » LAJME » Parlamenti vendos: Mandati i deputetit socialist Kokëdhima në Gjykatë Kushtetuese
Parlamenti vendos: Mandati i deputetit socialist Kokëdhima në Gjykatë Kushtetuese

Parlamenti vendos: Mandati i deputetit socialist Kokëdhima në Gjykatë Kushtetuese

Parlamenti shqiptar ka vendosur të enjten me 106 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenime, që çështja e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Sikundër shihet nga rezultati i votimit, shumica e grupit socialist ka votuar pro. Zoti Kokëdhima është një ndër tre deputetët e PS që opozita e djathtë po i akuzon se kanë përfituar nga fondet publike ndërsa kanë qenë deputetë. Ashtu si dhe kolegët e tij zoti Kokëdhima i ka hedhur poshtë me forcë deklarimet e opozitës. Ai ka akuzuar në parlamenti ish kryeministrin dhe udhëheqësit demokrat Sali Berisha, si frymëzuesin dhe hartuesin e gjithë kësaj historie. “Ti ke vetëm një të drejtë Sali. Në gjithë sjelljen tënde si, prokuror, shpifës, trillues, gënjeshtar, mashtrues, fyes, ofendues, turpërues, ke vetëm një të drejtë. Nuk duhet të ishe atje ku je, por duhet të ishe përpara drejtësisë dhe të përgjigjeshe për të gjitha aktet e rënda që i bërë këtij vendi, në të gjithë kohën që e qeverise” tha në parlament deputeti Koço Kokëdhima.
Eshte hera e dytë që Gjykata Kushtetuese shqiptare shqyrton mandatin e një deputeti lidhur me akuzat për përfitime të fondeve publike. Më parë ka qenë deputeti tjetër socialist Ilir Beqja, të cilit Gjykata Kushtetuese në vitin 2011 i hoqi mandatin për të njëjtën arsye. Por vetë zoti Beqja nuk ka pranuar se ka shkelur ligjin dhe e quajti gjithshka pjesë të luftës së pandershme politike.