KRYEFAQJA » LAJME » Partia Demokratike përkujton 25 vjetorin e krijimit

Partia Demokratike përkujton 25 vjetorin e krijimit

Në 25-vjetorin e themelimit të saj, Partia Demokratike, më e madhja e opozitës së djathtë në Shqipëri,  ka përsëritur synimin për largimin e qeverisë Rama, nxjerrjen e vendit nga gjendja mjerane që sipas demokratëve e ka katandisur kjo qeveri. Duke përkujtur 11 dhjetorin e vitit 1990, ditën e themelimit të PD, si e para parti opozitare antikomuniste në Shqipëri pas diktaturës 50 vjecare komuniste, kreu aktual Lulzim Basha tha se kjo date “… është ditë apeli për themeluesit e PD-së, demokratët e orëve të para, për të rinjtë që kanë vërshuar së fundmi në Partinë Demokratike, ku fort kumbon zëri i atyre që vdekja i ndau prej nesh. Protesta e 8 dhjetorit, konfirmoi vendimin e madh dhe të pakthyeshëm për largimin e kësaj qeverie-fatëkeqësi. PD dhe ne i primë me historinë tonë më të mirë, me alternativën tonë të zhvillimit, daljes së vendit nga kjo gjendje mjerane ku e ka katandisur kjo qeveri” tha zoti Basha.
Edhe udhëheqësi historik i demokratëve, Sali Berisha bëri thirrje “Të ngrihemi në lartësinë e guximit pasi brezi i sotëm është 25 herë më i fortë e më i guximshëm se sa ata që hapën rrugët e lirisë 25 vite më pare”.

Vetëm tre ditë më parë PD organizoi një protestë masive në Tiranë,  për ta detyruar qeverinë e koalicionit socialist të japi dorë heqje, në vend të krijohet një qeveri teknike që do ta coje vendin në zgjedhje të parakohshme. Një kërkesë e tillë u përsërit edhe në përkujtimin e jubileut të 25 vjetorit. Por sërisht mbetet e paqartë  se kur synon ta realizojë PD qëllimin e saj.  Në vitin 2017 janë zgjedhjet parlamentare të cilat koincidojnë edhe me zgjedhjet presidenciale.

Në 25 vite të ndryshimeve demokratike në Shqipëri, PD ka drejtuar vendin për më shumë se tre mandate. Arritjet e saj sipas demokratëve kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit, por sipas kundërshtarëve të tyre socialistë, disa ngjarje cilësohen si fatkeqësi kombëtare.