KRYEFAQJA » LAJME » Partia Socialiste shkon më 19 mars në kongres
Partia Socialiste shkon më 19 mars në kongres

Partia Socialiste shkon më 19 mars në kongres

Partia Socialiste, partia më e madhe e koalicionit të majtë që prej afro 2 vjet e gjysëm qeveris Shqipërinë, do të mbajë kongresin e saj të rradhës më 19 mars të këtij viti. Lajmi është dhënë nga deputeti socialist Taulant Balla, njëherësh dhe sekretar i Asamblesë së Përgjithshme të kësaj partie. Sipas formumeve socialiste, kongresi do të duhej të mbahej në fund të janarit. Por zoti Balla ka spjeguar arsyet. “Për shkak të numrit të madh të anëtarësimeve në parti, për shkak se një pjesë organizatash socialiste janë dashur të ristrukturohen tërësisht nga fillimi, …, atëherë është parë e nevojshme që të shtyhet me 4-5 javë Kongresi” u tha zoti Balla gazetarëve të interesuar. Ai hodhi poshtë zërat se janë shkelur vendimet e Asamblesë së Përgjithshme. “Nuk është shkelur vendimi i Asamblesë Kombëtare, sepse në këtë vendim shprehet qartë përmbyllja e procesit. Ne kemi ecur sipas procesit duke kryer sistemin piramidal zgjedhor në parti, duke filluar nga organizatat, delegatët dhe kongresi; është një proces i natyrshëm” tha ai.
Brenda PS ka patur kundërshtime për datën e shtyrjes së kongresit. Disa prej figurave të njohura në PS, tashmë disi në periferi, si ish presidenti Rexhep Mejdani apo deputeti Ben Blushi, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre. Ata akuzojnë kryetari e partisë dhe njëherësh kryeministrin e vendit Edi Rama se ka mbajtur peng partinë me moszhvillimin e zgjedhjeve brenda saj. Zoti Rama është përgjigjur se me fitoret në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 dhe zgjedhjeve lokale më 2015, ai është konfirmuar udhëheqës i socialistëve.