KRYEFAQJA » LAJME » Partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk kanë deleguar anëtarë në këshillat zgjedhorë në afatin e duhur

Partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk kanë deleguar anëtarë në këshillat zgjedhorë në afatin e duhur

Partitë politike shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare, nuk kanë deleguar anëtarë në këshillat zgjedhorë, në afatin që është mbyllur të enjten në mesnatë. Me këtë, dy partitë kanë lënë të kuptohet se nuk janë të gatshme për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, më 5 qershor, duke e bërë kështu thuajse të pamundur mbajtjen e tyre në këtë datë. Nga BDI-ja kanë thënë se po vazhdojnë përpjekjet, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, për gjetjen e një zgjidhjeje për dalje nga kriza politike. VMRO-DPMNE është partia e vetme që ka dorëzuar propozimet, ndërsa LSDM është deklaruar që më parë që nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.